TV LIVE
Nga Vendi
20 January 2022
Në Kovid qendrën e Kërçovës janë të shtruar 15 pacientë të infektuar me variantin Omikron

Si pasojë e grumbullimeve gjatë festave, në Kërçovë është rritur dukshëm numri i të infektuarve me virusin Korona. Në Kovid qendrën e Kërçovës aktualisht janë të shtruar 15 pacientë të infektuar me variantin Omikron.

Numri i të infektuarve në Kërçovë është rritur dukshëm gjatë këtyre 20 ditëve të fundit. Kjo rritje e ka rënduar situatën epidemiologjike në rajonin e Kërçovës. Nga 27 pacientët e testuar gjatë ditës së sotme, 19 prej tyre kanë rezultuar pozitiv me variantin e ri të virusit Omikron, njofton Stanko Tërpeski, drejtor i spitalit të përgjithshëm në Kërçovë.

 

“Për momentin në Kovid qendrën e Kërçovës janë të shtruar 15 pacientë prej të cilëve katër janë me mbështetje të oksigjenit, ndërsa të tjerit marrin mjekimin e duhur spitalor. Në dy javët e fundit punojmë me variantin e ri Omikron, por situata më e rënduar paraqitet tek pacientët e pa vaksinuar”, nënvizon drejtori Tërpeski.

Ndërkaq nga Shtëpia e Shëndetit në Kërçovë njoftojnë se procesi i imunizimit vazhdon sipas dinamikës së paraparë, dhe me dozën e tretë deri më tani janë vaksinuar 3 mijë e 400 pacientë ndërsa me dozën e parë për çdo ditë vaksinohen mesatarisht nga  10 pacientë.

Drejtori Xhabir Bajrami bën të ditur se paralelisht me procesin e imunizimit kundër virusit Korona, në Kërçovë është zhvilluar edhe vaksinimi kundër gripit sezonal. Deri më tani vaksinën kundër gripit stinor e kanë pranuar 2 mijë e 350 pacientë.



Të ndryshme
Më shumë