TV LIVE
Nga Vendi
5 February 2022
Sindikatat kanë të drejtë .

Efektet pozitive të rritjes së pagës minimale janë të shumta edhe për vet kompanitë. Ata që do të rritin të ardhurat e punëtorëve – njëkohësisht do të rritin edhe vullnetin për punë dhe kjo do të rezultojë me rritjen e produktivitetit të punëtorëve dhe natyrshëm do të rritet dhe efikasiteti i punës dhe fitimeve më të mëdha për biznesin

Paga minimale ka për qëllim mbrojtjen e punëtorëve nga një pagë e ulët, pagë kjo që nuk i mbulon madje as shpenzimet kryesore për jetë sadopak dinjitoze. Gjithashtu, rritja e pagës minimale do të ndikojë në rikthimin e shoqërisë së mesme konsumatore dhe me këtë, do të ul dallimin e të ardhurave të të atyre që kanë paga të larta dhe atyre në skaj të varfërisë. E rëndësisë të veçantë është se, rritja e pagës minimale ndikon dukshëm në zvogëlimin e hendekut të pagave dhe barazisë mes burrave dhe grave.

Paga minimale për herë të parë u vendos në shekullin e 19 në Zelandën e Re, ku atë kohë – kjo masë u mor si një mjet për t’i mbrojtur punëtorët, e veçanërisht kategorinë më të rrezikuar siç ishin atëherë gratë dhe fëmijët nga keqtrajtimi dhe shfrytëzimi që ju bënin pronarët e kompanive. Që nga ajo kohë, për fat të mirë – caktimi i pagës minimale vazhdon sot e kësaj dite të aplikohet në shumë vende të botës.

Paga minimale aplikohet edhe në Maqedoninë e Veriut dhe momentalisht ajo është 15.194 denarë, megjithëse sipas përllogaritjeve të Lidhjes së Sindikatave, dy paga minimale nuk janë të mjaftueshme për t’i mbuluar shpenzimet e shportës mujore për një familje mesatare. Rritja e kostos së jetës nga shtrenjtimet në vazhdimësi të ushqimeve bazë, të energjisë elektrike dhe e derivateve të naftës, ka vështirësuar jetën e çdo qytetari mesatar në këtë vend, ka varfëruar edhe më shumë xhepin e tyre, ndërsa ka thelluar dallimin mes klasave. Padyshim se rritja e pagës minimale është më shumë se e nevojshme. Sindikatat po kërkojnë me këmbëngulje që e njëjta të rritet në 18.000 denarë. Ata arsyetohen se, vetëm me rritjen e pagës minimale do të mund të mbulohen deri-diku nevojat e amvisërive të punëtorëve me paga të ulëta.

Shihet se nga kërkesa reale Lidhja e Sindikatave nuk do të tërhiqet. Dhe mirë e bëjnë, pasi në fund të fundit, realizimi i kësaj kërkese është jetike për mijëra qytetarë të vendit tonë. Përpjekja për një jetë më të mirë dhe më të rehatshme për punëtorët nuk duhet të ndalet asnjëherë dhe duhet të kërkohet në çdo kohë dhe kudo qoftë. Fundja, të gjitha hulumtimet tregojnë se caktimi i një kufiri të pagës minimale i mbron punëtorët nga një pagë e ulët dhe nga varfëria ekstreme. Për këtë arsye, paga minimale duhet të jetë e dinjitetshme që siguron një jetesë të mirë.

Nga ana tjetër, efektet pozitive të rritjes së pagës minimale janë të shumta edhe për vet kompanitë. Ata që do të rritin të ardhurat e punëtorëve – njëkohësisht do të rritin edhe vullnetin për punë dhe kjo do të rezultojë me rritjen e produktivitetit të punëtorëve dhe natyrshëm do të rritet dhe efikasiteti i punës dhe fitimeve më të mëdha për biznesin. 

Nga Zenel MIFTARI



Të ndryshme
Më shumë