TV LIVE
Nga Vendi
17 March 2022
Petkovski:“Me asnjë argument nuk mund të arsyetohet sjellja e perëndimit ndaj sanksioneve që i vendos Rusisë”

Më e trashë sesa vija ndarëse partiake mes qytetarëve të Maqedonisë së Veriut sot është ndarja në bazë të pozicionimit pro perëndim vs pro Moskë. Maqedonia e Veriut është vend anëtar në NATO, vend aspirant dhe shumë afër fillimit të bisedimeve me BE-në. Megjithatë, kohëve të fundit po habit opinioni publik në vend, me animin ka Moska.

Shkaku i procesit eurointegrues tentohet të relativizohen zëra pro Moskës. Për disa janë zëra të pakët, për dikë janë disa “bota” që aktivizohen në rrjete sociale, por realiteti është ndryshe dhe këtë e konfirmon politikani me përvojë Tito Petkovski.

Sipas tij, maqedonasit e madhërojnë presidentin rus, Vladimir Putin në rrjete sociale për shkak se kërkojnë lider që do t’i mbrojë dhe që do të kundërshtojë padrejtësitë e perëndimit. “Vetëm në këtë aspekt mbështetet Putini. Tanët kërkojnë udhëheqës, lider që do të mbrojë dhe do të hap perspektiva dhe për këtë arsye kërkojnë një autoritar. Për këtë shkak ka sukses Vuçiqi në Ballkan, ai është autoritar. Të mbani për 30 vjet një vend të vogël si Maqedonia me dyer të mbyllura, ju thjesht nuk mund ta duani BE-në”, u shpreh Petkovski.

Ai thotë se vet perëndimi jep shembuj jo të mirë me sanksionet ndaj Rusisë dhe se luftën ekonomikë do ta paguajnë shtrenjtë qytetarët.

“Me asnjë argument nuk mund të arsyetohet sjellja e perëndimit ndaj sanksioneve që i vendos Rusisë”, tha Petkovski duke shtuar se Maqedonia duhet të ketë politikë të pavarur dhe jo t’i ndjek interesat e huaja.

Rritjen e ndikimit rus dhe atë kinez në vend e kanë vërtetuar edhe anketat e fundit në vend.

Opinioni harron se për periudhën 2014 – 2020, Brukseli i ka ndarë Maqedonisë së Veriut 664 milionë euro për shfrytëzim nga programi IPA, mjete këto të destinuara kryesisht për përforcimin e kapaciteteve në administratën publike, transport dhe bujqësi.

Maqedonia e Veriut mori nga Bashkimi Evropian 66 milionë euro për të përballuar krizën ekonomike të shkaktuar nga koronavirusi. Bashkimi Evropian është në mesin e donatorëve kryesorë, që ju ndihmon institucioneve qendrore dhe lokale në vend në realizimin e projekteve kapitale në interes të qytetarëve.

Nga ana tjetër si pjesë e NATO-s, Maqedonia e Veriut; ka forcuar pozitën në arenën ndërkombëtare; ka forcuar sigurinë, është vend më i sigurt për investitorë, është afruar me BE-në, … ndërkaq NATO është detyruar për rol të saj në krijimin e një demokracie të konsoliduar, një shteti ligjor, forcimin e institucioneve, zhvillimin ekonomik dhe reforma fiskale.

Marrë parasysh faktet e sipërpërmendura edhe më absurd duket rusofilia në Maqedoninë e Veriut.

Një fakt tjetër interesant është se një numër i konsiderueshëm anojnë ka Moska, por duan standardin jetësor të vendeve evropiane. Vitin e kaluar, 4.922 qytetarë të Maqedonisë së Veriut kërkuan azil në një nga vendet e BE-së, kryesisht në Gjermani, që është katërfishuar në krahasim me vitin e kaluar 2020 kur numri i tyre ishte 1.230.

Të dhënat e Agjencisë së Bashkimit Evropian për Azil (EUAA) tregojnë një trend të përgjithshëm të rritjes së numrit të azilkërkuesve, si para pandemisë, por Maqedonia është vënë në dukje si një nga vendet ku ka rritje drastike të numrit. Nëse në vitin 2020 në vendet evropiane kishte 1.230 azilkërkues, tani numri ka arritur në 4.922 kërkesa të dorëzuara nga qytetarët e Maqedonisë. Nga këta, 2.822 aplikantë kanë tentuar të marrin azil për herë të parë, ndërsa 2.170 qytetarë kanë tentuar vazhdimisht të largohen nga vendi në një nga destinacionet evropiane. Shumica e kërkesave nga Maqedonia për azil në Evropë janë dorëzuar në vitin 2015 – mbi 15.600, por shumica janë refuzuar.



Të ndryshme
Më shumë