Me një program të organizuar nga Myftinia e Kërçovës në xhaminë Bella Kulla në Kërçovë është shënuar Nata e Beratit, e cila konsiderohet si natë lajmëruese për ardhjen e muajit të Ramazanit, raporton Tv Uskana.

Manifestimi u hap me lexim të Kuranit Fisnik nga imami Xhabir Emini, më pas imami nikoqir Nuran Sulejmanoski uroi dhe dëshiroi mirëseardhje, ndërkaq Myftiu Qamil Rushiti në fjalën e tij përshëndetëse krahas përshëndetjeve bëri lutjen që lutej Pejgamberi a.s.; "O Zot i Madh, na shto mirësi dhe na jep bereqet në muajin Rexhep dhe Shaban dhe na mundëso të arrijmë Ramazanin".

Ligjeratën me këshillë për vlerën e Natës së Beratit e dha imami i nderuar Aqif Jusufi, ndërkaq kori i Myftinisë së Kërçovës freskoi të pranishmit me ilahije dhe kaside të përgatitura enkas për këtë mbrëmje.

Manifestimi u përmbyll me lexim Kurani nga referenti Bajram Karamaleski ndërsa Adi Beshiri bëri lutjen kolektive për mirësi dhe begati.
Ndryshe, Nata e Beratit konsiderohet nga netët e mëdha në besimin islam dhe shënohet në natën e 15-të të muajit Shaban sipas kalendarit islam, që këtë vit përkon me natën e 17 marsit sipas kalendarit gregorian, ndërsa llogaritet lajmërues për ardhjen e muajit të Ramazanit, si dhe natë e pastrimit nga mëkatet, natë e dëshirave dhe e përcaktimit të fatit.
Në vende të ndryshme, kjo natë shënohet me programe dhe aktivitete të ndryshme.