Regjistrimi i vitit 2021 tregon se në Maqedoninë e Veriut janë gjithsej 29,5% shqiptarë, prej të cilëve 24,3% jetojnë në shtet, ndërsa pjesa tjetër në diasporë. Por zëvendësdrejtori i entit të Statistikave, Ilmi Selami, u shpreh se bashkë me numrin e atyre që nuk janë regjistruar, përqindja e shqiptarëve është rreth 31%.
“Shqiptarët është realitet se në Maqedoni janë mbi 31%”, tha Ilmi Selami, zv/drejtor i Entit për Statistika.
Janë gjithsej 132,260 banorë që nuk janë regjistruar, por figurojnë si numër që është marrë nga burime administrative. Ndonëse dihet vendbanimi, mosha dhe gjinia, përkatësia e tyre etnike e fetare nuk dihet, për shkak se nuk e kanë deklaruar vetë, por sipas zëvendësdrejtorit mund të kalkulohet përafërsisht.
“Unë kam bërë simulimet e mia. Unë mund të them numra se nga 132 mijë sa janë maqedonas, sa shqiptarë… mirëpo kjo është, si thotë populli “me tamin”. E sa dalin “me tamin” prej 132 mijëshit? Nuk do të kisha dashur… Vetëm do të them se 132 mijëshi pasqyron përqindjen aktuale të rezidentëve, shembull nëse janë 54% maqedonas, 54% nga këto 132 mijë janë maqedonas, nëse janë 30% shqiptarë, 30% edhe nga këto janë shqiptarë dhe në qoftë se futen edhe këto të dhëna dhe saktësohen me etnitetet, me gjuhë, etj, do të dalin se shqiptarët janë mbi 31%”, theksoi Ilmi Selami, zv/drejtor i Entit për Statistika.
132,260 banorë janë rreth 40 mijë familje, që kur u është trokitur në derë, nuk kanë qenë aty ose nuk e kanë hapur derën, tregoi zëvendësdrejtori i statistikave. Numri më i lartë të këtyre të paregjistruarve është në Shkup, Kumanovë, Strumicë, Çair, Karposht, Aerodrom, Manasitr, Kisella Vodë, Gazi Babë, Qendër e kështu me rradhë..