TV LIVE
Nga Vendi
4 February 2023
Shënohet dita e lindjes së Goce Dellçevit

I pari i shtetit Stevo Pendarovski, kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe funksionarë të tjerë shtetëror u përkulën dhe vendosën kurorë me lule në varrin e Goce Dellçevit, për nderë të 151 vjetorit të lindjes së tij. Pjesa e parë e kësaj dite e cila ishte konsideruar me rrezikshmëri të lartë kaloi kryesisht në atmosferë të qetë, me delegacione që vinin dhe shkonin vazhdimisht. Ishte pikërisht presidenti Pendarovski ai që kishte ngritur alarmin e shqetësimit për sigurinë gjatë kësaj dite, pas informacioneve se një delegacion bullgarë do të vijë në Shkup me paralajmërimin për incidente.

Kryeministri nuk u prononcua para mediave por më vonë shkroi në rrjetet sociale.

“Idealet e vizionarit të përjetshëm Goce Dellçev, i cili më shumë se një shekull më parë e kuptoi botën si fushë për përparim kulturor midis popujve, janë një trashëgimi e kuptueshme dhe një udhërrëfyes për politikat e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, të bazuara në dialog. dhe respekti, si përfitime të larta kulturore dhe civilizuese”, shkroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Një grup qytetarësh me parolla “Goce është Maqedoni” marshuan nga sheshi para selisë së VMRO-DPMNE-së për te kisha “Shën Spas”, ku ndodhet varri i Dellçevit për t’i dhënë nderime. Ata fillimisht nuk u lejuan të kalojnë kordonin policor për të hyrë në zonën e siguruar por më vonë policia hapi kordonin për të gjithë.

Kreu i opozitës maqedonase Hristijan Mickoski tha se sot ka përjetuar një ndjenjë dëshpërimi, meqë ndjen përçarje më të thellë se kurrë më parë në histori.

“Të gjithë që duan t’i japin respektin birit të madh maqedonas Goce Dellçev janë të mirëseardhur por provokues dhe politikanë të estradës të cilët e kanë problem që të bindin edhe fqinjët të votojnë në Bullgari për to dhe të provokojnë gjithmonë, kuptohet se nuk janë të mirëseardhur. Kur VMRO-DPMNE-ja ta ketë qeverinë, nuk do të guxojnë ta bëjnë”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Grupe të caktuara nga Bullgaria janë vonuar për disa orë në kufijtë në hyrje në vend me arsyetimin e pengesave në sistemin e kontrolleve. Pjesa më e madhe e tyre ishin anëtarë të Fondacionit “Maqedonia” por edhe qytëtarë të tjerë bullgarë që kishin marrë rrugën për në Shkup për t’u përkulur në varrin e Dellçevit. Në mesin e tyre nuk ka qenë Angell Xhambaski, një nga politikanët me kontrovers bullgarë gjatë kohës së fundit, që është akuzuar për gjuhë urrejtje dhe kërcënuese madje edhe ndaj presidentit Pendarovski.

Situata nuk ka qenë e qetë në vendkalimet kufitare. Disa prej tyre kaluan kufirin pas disa orë pritjeje. I tillë ishte delegacioni bullgar i kryesuar nga ministri i Brendshëm, Ivan Demerxhiev. Ai me ekipin e tij vendosi lule në varrin e Goce Dellçevit në orët e pasditës. Demerxhiev kërkoi që t’u mundësohet hyrje e qetë në vend të gjithë shtetasve bullgarë që dëshirojnë të vinë sot në Shkup për të shënuar këtë ditë.

“Që mos kenë problemed he të mos shkojë kontrolli ngadalë, ne jemi të gatshëm të dhurojmë tre gjeneratorë nga Ministria e Punëve të Brendshme të hënën. Nuk jemi këtu për të bërë provokime. Nuk kemi me kë të ndahemi. Ne jemi fqinjë dhe duhet të kemi marrëdhënie të mira dhe popujt tanë duhet të afrohen. Është e qartë se Maqedonia e Veriut është shtet i pavarur dhe nuk kam ndërmend t’u përgjigjem provokimeve se Maqedonia ishte bullgare”, u shpreh Ivan Demerxhiev, ministër i Brendshëm i Bullgarisë.

Përveç shërbimeve të sigurisë dhe rendit, kjo ditë nuk ishte e lehtë as për mediat dhe gazetarët. Duke u thirrur në protokoll të pakuptimtë, pjesëtar të shërbimeve të qeverisë fillimisht kërkuan nga mediat të mos incizojnë me kamerë në hapësirat jashtë mureve të kishës, kamermanët të mos lëvizin nga vendi brenda kishës kurse gazetarët të rrinë jashtë, pa mundësi për lëvizje. Për këtë kanë reaguar ashpër shoqatat e mediave, të cilat pengesën e mediave e kanë konsideruar si pengesë të lirisë së shprehjes./Alsat.mk



Të ndryshme
Më shumë