TV LIVE
Nga Vendi
14 June 2023
PROF.DR. DERVISH ALIMI: PATA NDERIN DHE KËNAQËSINË TA PARASHTROJ KANDIDATURËN TIME PËR REKTOR

Në një postim në Facebook, kandidati për rektor Prof. dr. Dervish Alimi ka informuar për kandidaturën e tij për rektor, në postimin e Prof. dr. Dervish Alimi thuhet:

Të nderuar kolegë, studentë dhe shokë fb

Bazuar në ndjenjën e obligimit për dhënien e kontributit personal profesional dhe akademik në rrjedhat shoqërore në fushën e arsimit të lartë dhe për përmirësimin dhe ngritjen cilësore të ofertës akademike në universitetin tonë,

pata nderin dhe kënaqësinë ta parashtroj kandidaturën time për rektor dhe Programin tim të punës për drejtimin e Universitetit të Tetovës për periudhën e ardhshme trevjeçare, bazuar në:

• Kualifikimet e mia shkencore dhe sidomos thirrjen e nevojshme mësimore-shkencore të Profesorit ordinar që është kushti kryesor dhe prioritar ligjor për bartjen e këtij funksioni,

• Parimin e senioritetit në karierë, që është parakusht vendimtar për rrezatimin e seriozitetit në punë dhe të autoritetit në vendimmarrje, bazuar në përvojën time gati 20 vjeçare akademike në universitet, (dhe 10 të tjera në arsimin paraprak), të përqëndruar në sferën e ligjërimit edhe të hulumtimit shkencor,

• përgatitjen time profesionale në njohjen e më shumë se 10 gjuhëve të huaja që mund të sherbejë shumë në ushtrimin e kompetencave kryesore ligjore për përfaqësimin e UT në kontakte dhe takime me përfaqësues të universiteve tjera jashtë vendit pa pasur nevojën e përkthyesit, sidomos në kohërat moderne ku njohja e gjuhëve moderne është bërë conditio sine qua non dhe dëshmi e pashmangshme e përgatitjes solide profesionale dhe e integritetit akademik të bartësve të posteve kryesore në institucionet e arsimit të lartë dhe jo vetëm,

• përgatitjen time profesionale si jurist i diplomuar, d.m.th. si njohës solid i obligimeve dhe procedurave ligjore, e nevojshme sidomos në raste immediate të vendimmarjes, pa pasur nevojën e konsultimit të vazhdueshëm të këshilltarit juridik në ushtrimin e kompetencave ligjore të parashikuara me ligjin për arsimin e lartë dhe të tjerë. Këtë edhe e kam dëshmuar në rastet e pjesëmarrjes në komisione disciplinore pranë fakultetit dhe universitetit dhe njëkohësisht kam dhënë shembull konkret me merita individuale për avancimin e lirisë akademike brenda universitetit,

• përvojën time menaxhuese të fituar gjatë kohës së ushtrimit të postit të Shefit të programit studimor të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në periudhën fillestare të legalizimit të UT, të shoqëruar me qasje korrekte si ndaj kolegëve ashtu dhe studentëve dhe stafit administrativ, etc.

Bazuar në programin tim ambicioz (të cilin do ta shpall në ndërkohë dhe do ta merrni zyrtarisht nga KUZ) dhe në përvojën time paraprake, mbetem me shpresë se do të gjej mbështetjen e stafit akademik për realizimim e objektivave të lartpërmendura, të cilat fundja janë në interes të përgjithshëm dhe jo strikt në interes të vetëpërmbushjes apo të karierës personale.

Prandaj uroj që zgjedhja juaj të burojë nga zemra dhe zëri i ndërgjegjes personale, pa ndikime anësore politike, lokaliste apo preferenciale, sepse besoj se zgjedhja duhet të vijë nga bindja personale per meritokracinë akademike të kandidatit dhe Ne si intelektualë nuk duhet të lejojmë që të tjerë të vendosin për ne dhe zgjedhjen e tyre të na servojnë në formën e aktit të kryer.

Me respekt!

Nga Prof. dr. Dervish Alimi

Fakulteti filologjik

Kandidat per rektor

 



Të ndryshme
Më shumë