Nahil Ramadani, djali i vetëm i babait Shahin dhe nënës Baftije, lindi më 21 nëntor 1973, në Tetovë. Ai rrjedh nga një familje e ndershme dhe e njohur për traditat dhe vlerat e larta atdhetare. Për ta siguruar bukën e gojës, familja e tij u detyrua që qysh në vitin e largët 1977 të shpërngulen nga Tetova për në Hamburg të Gjermanisë. E babai Shahini ishte i njohur për kontribut të jashtëzakonshëm atdhetar e kombëtar qysh në rininë e tij.

Djali Nahili e nisi shkollimin në Hamburg, aty ku edhe punoi e veproi në rininë e tij. Ishte vëllai i vetëm i pesë motrave, prandaj e gjithë familja i mbante sytë disi nga ai, sikur ta kishin një parandjenjë se ai do ta kishte një jetë të veçantë dhe interesante. Rreth 23-vjeçar, ai martohet me bashkëshorten Gëzimen.
Edhe Nahili, qysh si i ri e ëndërronte çlirimin e tokave shqiptare, të pushtuara nga Serbosllavia. Ai madje ishte betuar se po t’i jepet rasti, pa asnjë dilemë do të radhitej në forcat tona ushtarake për çlirim.
E me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ai filloi t’i bëj planet e veprimit. Fillimisht e liroi shtëpinë e tij të re në Tetovë për refugjatët shqiptarë nga Kosova, ndërsa i vinte vështirë ta njoftonte familjen me vendimi e tij të prerë: “Do të shkoj në luftë në Kosovë!”

Përveç familjes, edhe ata që merreshin me mobilizimin e djemve të rinj e që ishin të gatshëm për të shkuar në luftë, kur e kishin kuptuar se ai ishte djalë i vetëm i familjes, kishin kundërshtuar që ta regjistronin për rekrutim. Por, ai i kishte “bindur” më pas se nuk është ashtu, por se ai i ka edhe pesë vëllezër të tjerë, e që në fakt ishin pesë motra të tij.
Dhe ai niset bashkë me shokët e tjerë, duke e lënë djalin e vogël Lulzimin në djep vetëm 3 muajsh, e të cilin ua kishte lënë motrave amanet që nëse ndodh që të mos kthehet i gjallë, të kujdesen ato për të. Në përshëndetje e sipër me prindërit dhe me nusen, ata me lot në sy ia bëjnë hallall dhe e porositin që të kthehet patjetër i gjallë bashkë më lirinë e Kosovës.
Si ngushëllim, ai i bind ata me fjalët që i lë pa tekst: “Ju duhet të jeni krenarë që e keni një djalë trim e të gatshëm për të shkuar në luftë për atdheun, ndërsa po shkoj t’i shpëtoj vëllezërit dhe motrat e rrezikuara nga sundimi i Milosheviqit”.
Pasi i lë prindërit e gruan, motrat dhe djalin e vogël ne Hamburg, Lulzimin, ai u bashkohet radhëve të UÇK-së, fillimisht anëtarësohet në Tiranë, në Brigadën “Agim Ramadani”, e cila ishte nën komandën e Rrustem Berishës dhe të Anton Qunit, në “Delta Forca”.
E pas rekrutimit dhe stërvitjeve, ai me shokë arrin në territorin e Kosovës, pikërisht në Koshare, aty ku zhvilloheshin beteja dhëmbë për dhëmbë. Aty ishin edhe shokët e tij më të mirë të Nahilit, ndër ta: Mustafë Gashi, Habib Gashi, Tush Sadriu, Val Zeka, Fatos Salihu, Fatmir Qosja Bashkim Lladrovci e shumë të tjerë. Aty ishte edhe daja i Nahilit Sokol Salihu, cili kur kishte shkuar te motrat e Nahilit dhe i kishte parë ato duke qarë për vëllain e tyre të vetëm, i cili ishte nisur për Kosovë, menjëherë ishte nisur edhe ai dhe brenda 24 orëve kishte arritur që të takohen në Elshan të Shqipërisë, për t’u bashkuar me bashkëluftaret per çlirimin e atëdheut të cilët bashkërisht kishin arritur në vendin e luftimeve.

E rreptë dhe e egër ishte sidomos beteja e 9 majit ‘99, saktësisht te vendi me emrin “Rrasa e Zogut”. Ajo natë e majit ishte e rëndë dhe e tmerrshme për Nahilin dhe për bashkëluftëtarët. Luftimet ishin zhvilluar madje edhe në distancë prej vetëm disa dhjetëra metrave. Dhe, Nahili ishte plagosur rëndë nga një granatë në fluturim. Por, edhe ashtu i plagosur, madje pas asnjë ndihmë mjekësore, ai nuk e lëshon frontin dhe u bën ballë forcave armike serbe, duke e ruajtur pozicionin deri në orët e mëngjesit të ditës së nesërme.
Vetëm pas tri ditësh bashkëluftëtarët arrijnë ta transferojnë për shërimin e plagëve në qytetin Bajram Curr, por aty qëndron vetëm dy ditë dhe menjëherë e braktis spitalin pa lejen e mjekëve dhe u bashkohet sërish shokëve në front.
Dhe bashkë me ata qëndroi në istikame deri në fund, çdo herë i gatshëm të jetë i pari në frontin e luftës, deri në ditën kur atdheu u çlirua njëherë e përgjithmonë nga okupatori serb. Vetëm atëherë ai u kthye përsëri te familja e tij, te prindërit, te motrat, te nusja dhe te djali në Hamburg të Gjermanisë.
Kështu, Nahili tani i kthehet jetës paksa normale, pasi atdheu u çlirua njëherë e përgjithmonë. Ai iu kthye familjes, ku u bekua me vajzën Laura iu kthye jetës e punës. E familja ishte e lumtur me këtë fakt. Ishte edhe më shumë e lumtur që djali u kthye gjallë dhe e realizoi amanetin: u kthye bashkë me lirinë e Kosovës.
Por, kjo jetë e lumtur dhe harmoni familjare zgjati deri në shkurtin e vitit të kaluar, 2022. Atëherë ai ndjeu dhimbje të forta në kokë, të cilat e kishin diagnozë një sëmundje të rëndë dhe të pashërueshme, e cila kishte ardhur si pasojë e asaj granatës ogurzezë, pjesë të së cilës kishin mbetur ende nëpër trupin e Nahilit.
Këtë pikëllim për sëmundjen sikur e zvogëloi për pak kohë ardhja në jetë e djalit të dytë më 5 mars 2022, me emrin e bukur, Ilirian. Por, edhe nga Iliriani, sapo ai i mbushi tre muaj, ashtu sikur që ishte ndarë edhe nga Lulzimi sapo i kishte bërë tre muaj, Nahili ndërroi jetë më 28 qershor 2022.
Ndërroi jetë biri, babai, vëllai i vetëm i pesë motrave, Nahil Ramadani.
E lajmi ishte i rëndë dhe i trishtë. Ai vdiq për të mos vdekur kurrë në mendjen dhe zemrat e shumë shokëve e miqve, në kujtimet e bashkëluftëtarëve.
“Në mesin e shokëve dallohej Nahil Ramadani, një djalë i ri në moshë, por i pjekur për të marrë vendime. I urtë, i qetë, me buzëqeshje të ngrohtë, shikim të mprehtë, fizik të fortë, i veshur me uniformë kamuflazh, të linte përshtypjen se është i lindur për ushtar”, - tha eprori i lart i UÇK-së, në ceremoninë e varrimit.
Nahili gjithmonë na begatonte shpirtërisht me personalitetin e tij me plot virtyte të pastra njerëzore e kombëtare. Ishte me vlera te mëdha dhe i dashur per te gjithë, i pathyeshëm ne lufte dhe i pa matshëm në paqe. Kështu, ai do të mbetet një fener që na ndriçon për jetë të jetëve. Do të jetë mburrja dhe krenaria e familjes dhe e gjithë kombit shqiptar.
Prandaj, i përjetshëm qoftë kujtimi për Nahilin!