Në hapësirat e Fakultetit juridik “Justiniani I” më datë 10 tetor 2023 (e martë), pranë Univerzitetit “Shën Kirili dhe Metodij” në Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut, kandidati Ilir Iseni, gjykatës dhe aktualisht zëvendësdrejtor i Akademisë për gjykatës dhe prokurorë publik, përpara Komisionit në përbërje si në vijim: prof. d-r Sasho Georgievski – Dekani i Fakultetit juridik, prof. d-r Elena Mihajllova Stratilati – mentore, dhe doc. d-r Ljupço Stojkovski, me sukses e mbrojti temën e magjistraturës me titull: “Roli i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në përcaktimin e fushëveprimit të të Drejtave të Njeriut”, me çka morri titullin – Magjistër i shkencave juridike në fushën e së Drejtës ndërkombëtare publike, të Drejtën e BE-së dhe Diplomacisë.
Kandidati thekson se kjo temë shumë pak apo thuajse aspak nuk është e hulumtura në shtetin tonë, dhe e njejta paraqet një kontribut të vogël në afirmimin e rëndësisë së përcaktimit të fushëveprimit të të Drejtave të Njeriut nga ana e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në Strazburg, që nga krijimi i saj në vitin 1959 e deri më sot.

Kandidati Ilir Iseni në këtë punim ka shqyrtuar dy nga katër temat qendrore që kanë lidhje të drejtpërdrejt me përcaktimin e fushëveprimit të të drejtave themelore, dhe atë: 1) çështjet konceptuale, strukturore dhe kushtetuese dhe 2) ndodhitë në praktikën gjyqësore të GJEDNJ.
Në adresë të GJEDNJ vazhdimisht arrijnë kritika si nga ana e shkencëtarëve poashtu edhe nga politikanët, pasi sipas mendimit të tyre zmadhimi i numrit të çështjeve pranë GJEDNJ është drejtpërdrejt e lidhur me zgjerimin e fushëveprimit të të drejtave themelore nga po e njejta gjykatë. Por, kjo nuk mund të vërtetohet pasi nuk ka të dhëna të mjaftueshme empirike apo statistikore.
Nga ana tjeter, kjo situatë ka lidhje të ngushtë me brengat institucionale, pasi zmadhimi i çështjeve pranë GJEDNJ e ngarkon punën e saj, në sensin e angazhimit më të madh të Gykatësve, të regjistrit, sekretariatit, etj.
Nëpërmjet këtij punimi, kandidati ka aritur të konkludojë në mes tjerash se Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) paraqet një "instrument i gjallë” që ndjek tendencat e reja, si evolucionin në teknologji, ndryshimet në marrëdhëniet shoqërore dhe evoluimin e standardeve dhe praktikave të të drejtave të njeriut, dhe se Gjykata thjesht e vendos veten në pozitë për të interpretuar dhe zbatuar Konventën në përputhje me nevojat moderne. Natyrisht, ky zhvillim ka qenë dhe do të jetë gjithmonë i kujdesshëm ndaj shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, sepse opinioni i përgjithshëm brenda Këshillit të Evropës mund të jetë i rëndësishëm për përcaktimin se cilat të drejta do të mbulohen nga Konventa.
Kandidati shpreh faliminderime për angazhimin e mentores prof. d-r Elena Mihajllova Stratilati, si dhe për të gjithë ata që e kanë përkrahur në këtë rrugëtim, e veçanërish anëtarët e ngushtë të familjes së tij.
Në fund, beson se ky rrugëtim nuk do të ndalet këtu dhe se në të ardhmen e afërt do të vazhdoj edhe me studimet e ciklit të tretë – doktoratë.