Në Shkup pas një kohe të gjatë u shënua 31 vjetori i ngjarjes terrorizuese të njohur si rasti i Bit Pazarit, ku nga policia maqedonase u vranë tre të rinjtë shqiptarë, Safet Sejfullai, Shemsedin Ibrahimi dhe Sylejman Memishi.
Në mesin e të vrarëve ishte edhe Viktoria Geshovska.
Kjo ngjarje e dhunës dhe brutalitetit policor kishte ndodhur mbrëmjen e 7 nëntorit të 1992, kur ministër i brendshëm ishe Lubomir Fërçkovski, ambasadori aktual i Maqedonisë së Veriut në OKB.
Kjo ngjarje sot u përkujtua në komunën e Çairit me një akademi përkujtimore nën patronatin e kryetarit të komunës së Çairit, Visar Ganiu.
“Të paharrueshme do të ngelën 6 dhe 7 nëntori i vitit 1992, sepse pikërisht në këto dy ditë ndodhi diçka e tmerrshme: u vranë shqiptarët e pafajshëm, u plagosën shqiptarët e pafajshëm, u torturuan brutalisht shqiptarët e pafajshëm, u burgosën shqiptarët e pafajshëm, kurse askush nuk u përgjigj për këtë krim ndaj atyre që ishin të pafajshëm. Dhe ky brutalitet ndodhi në Bit Pazarin e Shkupit Dardan, aty ku historikisht fryma ka qenë shqiptare.
31 vite më parë në dyert e shtëpive të tyre u vranë Safet Sejfullai, Shemsedin Ibrahimi dhe Sulejman Memishi dhe shumë të tjerë u plagosën – Rufadije Bytyqi, Ibrahim Livareka, Sali Morina, Muharrem Sahiti, Adnan Jusufi, Raif Dalipi, Raif Dardhishta, Jahi Sulejmani, Fariz Jusufi, Sali Neziri, Alim Azemi, Ruzhdi Aliovski, Ali Sejdiu dhe Fari Imeri. Dhe shumë të tjerë vuajtën burgjeve pa asnjë faj. Ne sonte bashkë me familjarët e të vrarëve e të plagosurve në ngjarjet e Bit Pazarit realizuam Akademinë Ngjarjet e Bit Pazarit të vitit 1992 ku edhe paralajmëruam se do të bëjmë çmos që kjo ngjarje mos të harrohet kurrë”, ka shkruar Visar Ganiu.
Në ngjarjet e Bit Pazarit në vitin 1992 u arrestuan dhe u torturuan rreth 250 shqiptarë, u bastisën shtëpi të lagjeve Gazibabë dhe Serovë, e u demoluan lokalet në Çarshi, ndërsa katër persona u vranë nga policia dhe 14 të tjerë mbetën me lëndime të rënda. (INA)