TV LIVE
Nga Vendi
30 November 2023
Dita e parë e mbledhjes së Këshillit Ministror të OSBE-së në Shkup

Ministri i Punëve të jashtme dhe udhëheqësi aktual i OSBE-së, Bujar Osmani sot me fjalimin e tij do ta hapë ngjarjen më të rëndësishme poltiike-diplomatike të organizuar nga Maqedonia e Veriut, gjegjësisht mbledhjen e 30-të të Këshillit Ministror të OSBE-së, njofton .

Fjalë hyrëse do të kenë kryeministri Dimitar Kovaçevski, por edhe kryetarja e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Pia Kauma dhe sekretarja e përgjithshme e OSBE-së, Hellga Shmit.

Në margjinat e Këshillit Ministror të OSBE-së, Osmani do të zhvillojë disa takime bilaterale. Në kuadër të Këshillit Ministror do të zhvillohen edhe disa ngjarje tematike shoqëruese, ndër të cilat edhe nënshkrimi i Deklaratës për luftën kundër korrupsionit në Evropën Juglindore përmes kthimit të pronës dhe përdorimit të digjitalizimit, të cilën Deklaratë përveç se do ta nënshkruajë Ministri Osmani, atë do ta nëshkruajnë edhe Ministri i Punëve të Serbisë, Ivica Daçiq, Bosnjë dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, Malit të Zi, Filip Ivanoviq dhe Shqipërisë, Igli Hasani.

Përveç kësaj, do të mbahen ngjarje kushtuar sigurimit të llogaridhënies dhe kthimit të civilëve ukrainas të arrestuar, si dhe adresimit të ndikimit të ndryshimeve klimatike në sigurinë njerëzore.

 

Blinken në takime me kreun shtetëror të RMV-së, ministrat e OSBE-së do ta lënë të vetmuar Llavrovin

Një numër i madh i ministrave të jashtëm kanë dhënë deklarata që prej mbrëmë, para arritjes në Shkup. Tema kryesore mbetet ardhja në Shkup e ministrit rus të Punëve të Jashtme, Sergej Llavrov dhe nëse ai fare do të duhej të ishte në Këshillin e 30-të Ministror të OSBE-së.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Analena Berbok, deklaroi se po udhëton për në Shkup që t’i kundërvihet “çmendurisë imperialiste ruse”, duke shtuar se Evropës i duhet më shumë bashkëpunim dhe siguri. Ajo theksoi se i kupton vendet baltike dhe Ukrainën për problemin që e kanë që të ulen në të njëjtën tavolinë me Lavrovin, por edhe shtoi se ka për qëllim që të bëjë gjithçka që është e nevojshme që ta pengojë Rusinë që ta shkatërrojë OSBE-në.

Nga Stejt Departamenti Amerikan, njoftuan se nuk pritet që të ketë takime mes sekretarit Blinken dhe ministrit Llavrov.

Blinken sonte kishte takim me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, duke theksuar rolin e Maqedonisë së Veriut në stabilitetin rajonal. Raportohet që çështje e takimit ishin edhe reformat e nevojshme që duhet të ndjek vendi në procesin eurointegrues.

“SHBA-ja e vlerësoi lart kontributin e Republikës së Maqedonisë së Veriut si anëtar i NATO-s, por edhe në kontekst rajonal si faktor në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, raportojnë nga kryeministria pas takimit Blinken–Kovaçevski.

Gjithashtu, Blinken u takua edhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ku në fokus të bisedës ishin ngjarjet aktuale ndërkombëtare, me fokus të veçantë në situatën në Ukrainë, ku bashkëbiseduesit dënuan fuqishëm agresionin ushtarak rus dhe shprehën mbështetje të fuqishme për popullin ukrainas.

Kreu i diplomacisë evropiane, Jozep Borrell, mbrëmë nga Shkupi tha se ardhja e ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov në takimin në Shkup është një mundësi e mirë që ai të dëgjohet pse Rusia është e dënuar dhe e izoluar dhe më pas të kthehet në Moskë dhe t’i thotë zotit të Kremlinit se Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja mbeten të bashkuar në dënimin e sjelljes agresive dhe të paligjshme të Rusisë.

“Unë e kuptoj që disa vende pjesëmarrëse nuk ishin të kënaqura me vendimin tuaj për të marrë pjesë ministrin Lavrov, e kuptoj sepse me luftën e paligjshme të Rusisë kundër Ukrainës, ajo po minon vetë parimet e OSBE-së dhe po shkel ligjet dhe për këtë arsye po përballet me sanksione ndërkombëtare dhe izolim ndërkombëtar”, theksoi Borrel.

Vendimi për të lejuar ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov që të marrë pjesë në Samitin Ministror të OSBE-së në Shkup çoi në bojkotimin e ngjarjes nga Ukraina dhe shtetet baltike.

Ukraina kërkoi që Rusia të përjashtohej nga OSBE, duke shtuar se të gjithë duhet të punojnë së bashku për të shpëtuar OSBE-në nga Rusia. Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba do të bojkotojë Samitin Ministror të OSBE-së, ka njoftuar për agjencinë France-Presse, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko.

Ai tha se Rusia duhet të hiqet nga OSBE-ja, sepse ajo kishte kryer agresionin më të madh të armatosur në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, duke aluduar në sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës që filloi në shkurt 2022.

Revolta nga prania e Lavrovit në Shkup po rritet edhe nga vendet fqinje të Ukrainës. Vendet baltike – Estonia, Letonia dhe Lituania njoftuan sot se kryediplomatët e tyre nuk do të marrin pjesë në Samitin Ministror të OSBE-së në Shkup, në shenjë proteste për shkak të ftesës për prezencën e Sergej Lavrovit. Vendi ynë kryeson këtë vit OSBE-në.

Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e jashtëm të vendeve baltike thanë se prania e planifikuar e Sergei Lavrov “rrezikon të legjitimojë Rusinë agresore si “anëtare legjitime të komunitetit tonë të kombeve të lira”.

Vitin e kaluar, Polonia mikpritëse e OSBE-së refuzoi të linte Lavrovin të merrte pjesë, duke shkaktuar përgjigje të ashpër nga Rusia. Këtë herë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut tashmë lejoi që aeroplani i ministrit rus të Punëve të Jashtme Lavrov të ateroj në Shkup që të marrë pjesë në Takimin ministror të OSBE-së.

Nga ana tjetër, Rusia në tre raste në periudhën e kaluar ka bllokuar zgjedhjen e Estonisë si kryetare e OSBE-së në vitin 2024, pas së cilës është dashur të arrihet një konsensus midis shteteve anëtare për zgjedhjen e ardhshme të Maltës si kryetare e Organizatës.



Të ndryshme
Më shumë