I.N. Galeria e Arteve Pamore të Tetovës përmbylli programin e vitit 2023 me ekspozitën e veçantë dedikuar fëmijëve me nevoja të posaçme e titulluar “Edhe ne jemi artistë”.
Punëtoria “Edhe ne jemi artistë” e përkrahur financiarisht nga Ministria e Kulturës të Repubikës së Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me SH.F.K “Liria” Tetovë realizohet për pesë vite me radhë dhe ka për qëllim largimin e paragjykimeve dhe inkurajimin e fëmijëve me nevoja të posaçme që në lëmin e artit pamorë dhe ata të ndjehen artistë.
Drejtoresha e I.N. Galeria e Arteve Pamore Tetovë znj. Arbenita Meta në fjalën e saj të rastit potencoi që Galeria e Arteve Tetovë do të vazhdojë të jetë në mbështetje të plotë të personave me nevoja të posaçme dhe gjithnjë do të përkrah integrimin e tyre të plotë në shoqëri. Gjithashtu, drejtoresha e Galerisë znj. Arbenita Meta ndau mirënjohje për nxënësit pjesëmarrës në punëtorinë e artit “Edhe ne jemi artistë” si dhe në shenjë falenderimi për bashkëpunimin e shkëlqyer ndau mirënjohje për punën e pa lodhur dhe mësimdhënësve të Qendrës Burimore SH.F.K “Liria” Tetovë.