Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti sot feston ditëlindjen e tij të 65-të.
I lindur më 4 janar të vitit 1959, nis rrugëtimi jetësor i politikanit të shquar të kohës moderne, Ali Ahmeti. Vetëm një javë para se t’i mbushë 65 vjet, dy media shqiptare me renome, TV Klani dhe portali Albanian post, fundin e vitit e shënuan me një rangim të personaliteteve më të shquara të vitit 2023, ku u gjet lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim.
Emri i Ali Ahmetit në këtë shoqëri personalitetesh të shquara, për dikë mund të jetë befasi, por për pjesën dërrmuese të publikut shqiptar, është gjë e pritur dhe e natyrshme, duke pasur parasysh gjithë atë që lidhet si aktivitet politik dhe arritje jo vetëm për këto disa dekada si veprimtar për kauzën shqiptare dhe politikan pragmatik, por dhe për arritje konkrete të vitit që lamë pas.
Nëse BDI-së dhe Ali Ahmetit i janë “ngjitur” fitoret një pas një, nuk është vetëm për shkak të meritave të luftës, siç do të mund të kuptohej kjo në vitet e para pas 2002-ës kur zbriti nga Shipkovica dhe u akomodua në Reçicë të Vogël. Viti 2001 vërtet është një kapital i përjetshëm historik i të gjithë atyre që nuk u pajtuan me statuskuonë dhe pabarazinë sistemore që ua përcaktuan partitë politike dhe e Ali Ahmetit në veçanti. Por, lufta nuk mund të jetë kapitali kryesor që lidhet me ish-udhëheqësin e UÇK-së, por dhe aftësia e politikanit që di idetë e veta t’i shndërrojë në vepra konkrete.