TV LIVE
Nga Vendi
30 January 2024
DOLI NGA SHTYPI “FJALOR TOPONOMASTIK I KOSOVËS”, VËZHGIME ETIMOLOGJIKE DHE TË NORMËS NË TOPONIMI I PROF. DR. QEMAL MURATI

Këto ditë doli nga shtypi vepra më e re e Qemal Muratit  “Fjalor toponomastik i Kosovës”, Vëzhgime etimologjike dhe të normës në toponimi (me rreth 33 mijë topoleksema a emra të vendeve), në 1240 faqe, që paraqet një gur themeltar në fushën e leksikografisë toponomastike shqiptare, e përtej kësaj edhe asaj ballkanike, dhe për t’u ofruar studiuesve një vepër referenciale shumëdimensionale.

Kjo vepër do të jetë një instrument i rëndësishëm kryesisht për gjuhëtarët, dhe gjithashtu mund të shërbejë edhe për disiplinat e tjera shkencore: gjeografinë, arkeologjinë, historinë, etnografinë, botanikën, zoologjinë, etj.

Ky Fjalor - siç shprehet autori Qemal Murati në Parathënie – ka qenë projekt i Institutit Albanologjik dhe është hartuar nga autori në një interval kohor prej shumë vjetësh, me dëshirën më të madhe për të arkivuar një lëndë të pasur toponimike që të mos zhdukej a birrej. Në këtë ndërmarrje të vështirë e komplekse, për të trajtuar e shoshitur gjithë atë material toponomastik nga burime të ndryshme, autori ka konsultuar një literaturë të gjerë të leksikografisë toponomastike edhe në gjuhë të tjera, gjithnjë me synimin që fy fjalor të jetë sa më i arrirë. Qëllimi i autorit nuk ka qenë të sjellë vetëm një regjistër të thatë emërvendesh, por për një pjesë të mirë të toponimeve e patronimeve të japë dhe shpjegime etimologjike.

***

Toponimet e  këtij Fjalori japin të dhëna të vlefshme për gju­hën e popullatës së këtij rajoni, për gjeografinë, historinë, psikologjinë, etnografinë, për gjendjen dhe karakterin e saj në shekujt e kaluar. Nga “pro­vincat onomastike” të Kosovës, interes të posaçëm paraqet sidomos treva e malësisë së Rugovës, që ka krijuar dhe ruajtur një mal emërtimesh gjeografike që shenjojnë veçantitë ose tiparet natyrore të kësaj treve, vende e objekte karakteristike nga jeta dhe tradita e popullit, si: Bjeshka e Shtjerrë, Bujat e Dhive, Lugu i Zanave, Lugu i Turrecit, Sheu i Qyqes, Sheu i Grave, Kodra Burrave (në këtë kodër mbanin kuvende burrat e fshatit), Livadhi i Nuses, Kërshi i Nuses, Qafa e Dasmorve, Qafa e Deshve, Qafa e Diellit, Kodra e Trimave, Livadhi i Gjakut, Vorret e Krushqve, Llazi i Mujit (trim i njohur nga rapsoditë popullore, që paska ardhur për ta kërkuar vëllain e tij të vdekur nëpër fshatrat e Rugovës), Vorret e Shehitve – varre, ku më 1913 ushtria e kral Nikollës ka pushkatuar shumë rugovas, sepse nuk kanë pra­nuar ta ndërronin fenë e kombësinë e tyre, etj.

Topo­ni­met, ndër të tjera, janë një burim i pashtershëm edhe për pasurimin e leksikut të gjuhës shqipe (me emra të lashtë të burimit vendës të shqipes që dalin të ruhen te toponimet: Bjeshkë, Gjytet, Gropë, Gurrë, Gjelbzinë/ Gjelbinë, Gjollë, Karpë, Kroje, Lug, Mriz, Qafë, Rreth - shkëmb i madh që ka formën e rrethit, She, Shpat, Shpellë, Shulla, Troje, Tumë, Thore, Butsinë, Thatinë, Kungë (kodër e shpluar me dhe e gurë), etj. Të këtë fjalor përmendet edhe një fakt shumë interesant,  që krahas emrit Bjeshkët e Nemuna, del të përdoret edhe një emër me brumë vetjak të shqipes Mali i Thores.

***

Autori i këtij fjalori ka bërë përpjekje të mëdha e të mundimshme të hartojë një vepër me kritere shkencore, që të lërë gjurmë dhe t’u shërbejë të gjithë përdoruesve. Në këtë ndërmarrje ka zgjedhur mëtimin jo për të bërë një vepër të plotë e gjithëpërfshirëse, por dëshirën për të hulumtuar e për të vënë një gur themeli në ndërtesën e leksikografisë toponimike të Kosovës.

***

Akad. Valter Memisha, në recensën e tij që i ka bërë këtij fjalori, ndër të tjera thekson: se vepra “Fjalor toponomastik i Kosovës”, e hartuar  nga gjuhëtari i mirënjohur Qemal Murati, është  një arritje e re e vlershme në shkencat tona  albanologjike dhe vjen e zë  një vend të merituar në fondin e veprave që prezantojnë kulturën e historinë tonë kombëtare, si dhe punën serioze e të përkushtuar shkencore të autorit.

Fjalori mbart vlera historike e kombëtare. Përmes tij njihesh jo vetëm me një pjesë shumë të rëndësishme të emërvendeve, të emrave të njerëzve e të mbiemrave të familjeve në Kosovë, por ai e orienton përdoruesin në shtresëzime historike dhe etnike, duke i bërë të njohur përdoruesit shkencor dhe atij jo të tillë se aty mund të  gjesh: emërvende të lashta të burimit vendës të shqipes Karpa, Kroje, Lugje, Mrize, Troje, Thatina et.; emërvende me burim prej serbishtes: Gradinë, Jaz, Jazbinë, Jezer, Ledinë, Llaz, Llazinë, Llokë, Oborrishta, Orrnicë, Podinë, Rekë, etj. Emërvende me burim prej arumanishtes: Kika, Llashki Brod, Boka Verdhë (“Gjelbër”), Llashkobare, Muçibabë, Vllahi, Vllasi, etj.; emërvende me burim prej turqishtes: Bashçe, Batallaku,Çeshme, Çireçhane, Hajrati, Huduti, Istikami, Sakaku,Tepja, Tyrbe, Vakafi, Xhiri, etj.

 Studiuesi Qemal Murati tërheq vëmendjen se me toponiminë e interpretimin e saj duhet pasur shumë kujdes. Pushtuesit e shumtë në trojet shqiptare, disa prej të cilëve kanë qëndruar dhe për shekuj të tërë në to, kanë lënë gjurmë të theksuara në emërvendet. Kjo nuk do të thotë që këto troje i përkasin njërit apo tjetrit pushtues, sipas përkatësisë gjuhësore e historike të toponimisë. Ata janë ardhës, kurse populli shqiptar është vendës,  autokton. Ai nuk u asimilua prej tyre, por ata u asimiluan në këto troje, edhe pse lanë qindra e qindra emërtime vendesh si makro- e mikrotoponime. Studiuesi thekson se  “Toponimia nuk ‘zotëron’ dhe as që mund të zotërojë prova absolute për të dëshmuar praninë ose mungesën e një etnikumi në një territor të caktuar, sepse në thelb ajo është lëndë që u nënshtrohet ligjeve të zhvillimit, bjerrjes ose manipulimeve politike me të.

Me interes shkencor shpërfaqet në vepër dhe Bibliografia e shfrytëzuar. 240 tituj shkencorë janë shumë domethënës, sepse sendërton punën e kujdesshme, madje shteruese të studiuesit Qemal Murati në referimin e në konsultimin shkencor me studime e punime në fushën e toponomastikës, por njëherazi dhe në vjeljen prej tyre të një pasurie të madhe të emërvendeve në Republikën e Kosovës.

***

Recensuesi tjetër prof. Viktor Bakillari e quan “Një vepër madhore e arkeologjisë gjuhësore shqiptare” dhe shprehet: vepra e prof. Qemal Muratit Fjalor Topo­nomastik i Kosovës është një vepër shkencore sa gjuhësore, gjithaq edhe patriotike e kombëtare, e cila shërben si bazë për punime të mëtejshme dhe grishje për ndërmarrje të tilla në arealin krejtshqiptar.

Me veprën Fjalor Toponomastik i Kosovës, që do të jetë referencë në fushën e onomastikës shqiptare, toponimisti i shquar shqi­p­tar Qemal Murati ka hedhur institucionalisht bazat e shëndosha të toponimisë shqiptare.

***

Nga fusha e fjaloristikës shqiptare, Qemal Murati ka përgatitur për botim edhe veprën “Fjalor toponomastik i tërthoreve shqiptare të  Maqedonisë së Veriut”, me një lëndë prej mbi 12 mijë topoleksemave, që pritet të dalë në dritë brenda këtij viti. Sipas autorit Murati, lënda toponimike na dëshmon se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk janë një element i ri, sikurse janë përpjekur t’i paraqesin  onomasticienët maqedonas, sepse vetë emërtesa toponomastike ata i gjen në këto anë shumë kohë para ardhjes së sllavëve. Siç ka vënë re linguisti i njohur kroat Petar Skok, pohon Murati, “Në vështrimin e stratigrafisë (shtresës) toponomastike shqiptarët janë aq më të rëndësishëm sepse kanë ruajtur emrin e vjetër të qytetit Shkupi pikërisht sipas ligjeve të gjuhës së tyre. Emërtimi i tyre Shkup tingull për tingull mbulohet me formën latino-dardane Scupis dhe kurrsesi nuk mbështetet në formën sllave ose turke. Ky fakt është me rëndësi për çështjen se ku ka qenë vendbanimi më i hershëm i shqiptarëve. Hipoteza e Joklit se ai vendbanim ka qenë Dardania fiton me këtë konstatim vërtetësi”.

***

Profesor Muratit ne i urojmë suksese të mëtejme në punën e tij shkencore dhe daljen sa më parë në dritë edhe të “Fjalorit toponomastik të tërthoreve shqiptare të  Maqedonisë së Veriut”.

Të ndryshme
Më shumë