Departamenti Amerikan i Shtetit i vendosi dje ish-prokuroren speciale Katica Janeva dhe kryetarin e komunës së Karposhit Stevço Jakimovski në “listën e zezë”. Por, këta nuk janë të parët të vendosur në listën e cila duket e gjatë dhe ka paralajmërime se do të plotësohet edhe më tej, raporton Alfax.

Vitin e kaluar në listë u fut edhe biznesmeni dhe ish-zëvendëskryeministri për Çështjet Ekonomike Koço Angjushev. Ngjashëm sikur të tjerët, akuzohej për përdorim të pozitës së tij në pushtet për përfitime personale.

Më parë, bashkë me kompanitë e lidhura me to, ishin vendosur në listën e zezë edhe biznesmeni rus Sergej Samsonenko dhe gruaja e tij Irina Samsonenko, dhe nëna e biznesmenit maqedonas, Orce Kamçev, Ratka Kunoska Kamçeva. Në listë është edhe biznesmeni Orce Kamçev, raporton Alfax.

Edhe Ramiz Merko, kryetar aktual i Strugës dhe zyrtar i lartë i BDI-së, është vendosur në listën e zezë bashkë me familjen e tij të ngushtë që përfshin bashkëshorten dhe fëmijët për shkak të korrupsionit, keqpërdorimit të fondeve dhe ndërhyrjeve në çështjet gjyqësore.

Për arsye të korrupsionit në listën e zezë u vendos edhe ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish-drejtori i DSK-së Sasho Mijallkov, si dhe familjarët e tyre të ngushtë.

“Veprimet e tyre kanë minuar sundimin e ligjin, funksionimin e institucioneve demokratike dhe e kanë ulur besimin e qytetarëve tek qeveria”, pati publikuar Departamenti Amerikan i Shtetit, raporton Alfax.
Sipas Departamentit të Shtetit, Gruevski ishte përfshirë në veprime korruptive gjatë të cilave ai përdori ndikimin e tij politik dhe pushtetin zyrtar për përfitime personale.
“Më konkretisht, ka informacione të besueshme se Gruevski e ka keqpërdorur pozicionin e tij për të kërkuar dhe marrë ryshfet për kontratat e qeverisë, për përvetësimin e fondeve publike në mënyrë të paligjshme, dhe ndërhyrjet në proceset zgjedhore për përfitime politike për veten dhe partinë e tij”, tha Departamenti i Shtetit.
Në listën e zezë është edhe një kompani që lidhet me Gruevskin, e që u hap pasi ai u arratis në Hungari. Bëhet fjalë për kompaninë I.C.I.C. LTD, e cila u hap në vitin 2021, dhe DASH e lidh atë me Gruevskin.
Për Mijallkovin thuhej se në cilësinë e drejtorit të DSK-së ka qenë i përfshirë në akte korruptive që përfshinin përdorimin e ndikimit të tij politik dhe pushtetit zyrtar për përfitime personale. Ka patur informacione se Mijallkov ka abuzuar autoritetin për të kërkuar ryshfet për kontratat e lidhura. Ai ka ndërhyrë edhe në proceset zgjedhore në në dobi të partisë së tij politike dhe personale.
Lube Boshkovski, Menduh Thaçi, Xhevat Ademi, Kastriot Haxhirexha, Nevzat Halili, Gafur Adili, Nuri Bexheti, Xhavit Hasani, Xhezair Shaqiri, Daut Rexhepi dhe Xhemail Hiseni, poashtu janë vendosur në listën e zezë gjatë administratës së Bill Clinton dhe George Bush. Shumica janë ish deputetë dhe ish pjesëtarë të UÇK-së.Alfax.