TV LIVE
Nga Vendi
15 April 2024
RMV, specializantët privatë prej sot në grevë të përgjithshme

Specializantët privatë prej sot kanë shpallur grevë të përgjithshme. Në njoftimin e 11 prillit ata theksojnë se pavarësisht protestës së zhvilluar nga specializantët privatë më 27 mars dhe takimit me ministrin e Shëndetësisë në Qeverinë Teknike, Ilir Demiri, më 2 prill, kërkesat e tyre ende nuk janë plotësuar, transmeton Portalb.mk.

“Në takimin me ministrin e Shëndetësisë, na është premtuar se kërkesat tona do të paraqiten në seancën e ardhshme të Qeverisë. Pas takimit me ministrin, më 3 dhe 9 prill janë mbajtur dy seanca të Qeverisë, në të cilat sipas informacioneve publike të Qeverisë, kërkesat tona nuk janë diskutuar në asnjërën prej tyre”, thuhet në njoftim.

Ata nuk do të kontrollojnë pacientë, nuk do të shkojnë në sallat e operacionit, nuk do të mbajnë evidencë mjekësore dhe nuk do të jenë në kujdestari deri në plotësimin e kërkesave të tyre…

“Kjo do të thotë se ne nuk do të paraqitemi në pozicionet tona të punës, nuk do të kryejmë detyrat dhe nuk do të jemi në kujdestari. Do të grevojmë deri në plotësimin e kërkesave tona, që janë rritja e kompensimit mujor, sigurimi shëndetësor dhe marrëveshje për zgjidhjen e mëtutjeshme të statusit tonë”, thotë doktoresha Hristina Ilioska Ceslaroska, specialiste private e mjekësisë interne.

Siç thuhet në njoftimin e dërguar në emër të specializantëve privatë në universitetet e shkencave mjekësore “Kiril dhe Metodij” dhe “Goce Dellçev” – Shtip, ata janë të detyruar të ndërmarrin hapin tjetër – t’i bashkohen grevës së përgjithshme nga 15 prilli. Bëhet e ditur se do të zgjasë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Kujtojmë se punëtorët shëndetësorë me 8 prill në organizatën e Sindikatës së Pavarur për Shëndetësi, Farmaci dhe Mbrojtje Sociale, të përkrahur nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) protestuan për punësim jo selektiv, përshtatje të pagave sipas Ligjit për pagë minimale dhe rritje të koeficienteve si shtesa në paga.



Të ndryshme
Më shumë