TV LIVE
Kuriozitete
20 December 2025
Moikom Zeqo, intelektuali që i dha zë lashtësisë shqiptare! Një jetë mes mitit, historisë dhe letërsisë

VALENTINA MADANI/ Moikom Zeqo (1949– 2020) mbetet një nga figurat më të veçanta dhe më komplekse të kulturës shqiptare bashkëkohore.

Poet, shkrimtar, eseist, studiues i mitologjisë dhe arkeologjisë, si dhe intelektual aktiv në jetën publike, ai ndërtoi një vepër të gjerë që kapërcen kufijtë tradicionalë të zhanreve letrare. Në krijimtarinë e tij ndërthuren historia, miti, filozofia, antropologjia dhe poezia, duke e bërë Zeqon një autor të pazëvendësueshëm në peizazhin kulturor shqiptar. I lindur në Durrës, një qytet me shtresa të thella historike, Moikom Zeqo u formua intelektualisht në një mjedis ku antikiteti, arkeologjia dhe kujtesa kulturore ishin pjesë e përditshmërisë. Kjo ndikoi dukshëm në gjithë veprën e tij.

Ai nuk e shihte letërsinë si një akt të izoluar estetik, por si një dialog të pandërprerë me kohët, qytetërimet dhe mitet që formësojnë identitetin e një kombi. Si poet, Zeqo solli një gjuhë të ngarkuar me simbole, aluzione dhe referenca kulturore. Poezia e tij shpesh kërkon një lexues aktiv, të gatshëm për të hyrë në labirintin e kuptimeve dhe imazheve. Vargjet e tij nuk synojnë thjesht emocionin e drejtpërdrejtë, por nxisin reflektimin mbi fatin e njeriut, mbi kohën dhe mbi raportin mes reales dhe mitikes. Në këtë aspekt, poezia e Moikom Zeqos është elitare në kuptimin më të mirë të fjalës, ajo kërkon dije, por shpërblen me thellësi mendimi. Përveç poezisë, ai ishte një eseist i shquar. Eseja për Zeqon ishte një hapësirë lirie intelektuale, ku ai mund të lidhte arkeologjinë me letërsinë, mitologjinë me aktualitetin, historinë me filozofinë. Shkrimet e tij eseistike janë të pasura me referenca nga kultura botërore, por gjithmonë të ankoruara në realitetin dhe trashëgiminë shqiptare.

Ai e shihte kulturën shqiptare si pjesë integrale të qytetërimit mes dhetar dhe europian, jo si një ishull të mbyllur. Moikom Zeqo dha gjithashtu një kontribut të rëndësishëm si studiues i mitologjisë dhe arkeologjisë. Ai ishte i bindur se mitet nuk janë thjesht tregime të lashta, por struktura të thella mendimi që vazhdojnë të ndikojnë mënyrën se si shoqëritë e kuptojnë veten. Në këtë kuptim, puna e tij studimore ishte edhe një përpjekje për të rindërtuar vetëdijen kulturore shqiptare, duke e lidhur atë me rrënjët ilire, antike dhe mesdhetare.

PËRTEJ PËRKOHSHMËRISË

Moikom Zeqo e jetoi dijen si domosdoshmëri ekzistenciale. Ai lexonte, shkruante dhe mendonte me një intensitet të rrallë, sikur çdo ditë të ishte një garë me kohën dhe harresën. Kjo ndjesi urgjence intelektuale përshkon gjithë veprën e tij. Ajo që e dallon Moikom Zeqon nga shumica e shkrimtarëve shqiptarë është përmasa enciklopedike e mendimit. Në librat dhe shkrimet e tij bashkëjetojnë Homeri dhe Migjeni, mitet ilire dhe surrealizmi modern, arkeologjia dhe metafizika. Ai nuk i shihte disiplinat si të ndara, por si pjesë të një trupi të vetëm kulturor. Për Zeqon, poezia ishte një formë njohjeje po aq e vlefshme sa studimi shkencor. Në letërsinë shqipe, ai përfaqëson tipin e autorit që nuk kërkon popullaritet të shpejtë.

Gjuha e tij është e ngjeshur, e ngarkuar me simbole dhe referenca, shpesh sfiduese për lexuesin. Por kjo nuk vjen nga snobizmi intelektual, vjen nga bindja se lexuesi duhet respektuar, jo thjesht argëtuar. Moikom Zeqo besonte se kultura përparon vetëm kur kërkon përpjekje. Një tjetër dimension i rëndësishëm i figurës së tij është lufta kundër harresës kulturore. Ai ishte i shqetësuar për shkatërrimin e trashëgimisë, për shpërfilljen e historisë dhe për varfërimin e mendimit kritik në shoqërinë shqiptare. Shpesh shkrimet e tij publicistike marrin tone alarmi, polemike, madje edhe profetike. Me seriozitetin, pasionin për shkencën dhe kulturën, autori i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, mbi historinë e artit, si dhe skenarëve për filma, do të mbahet mend ndër breza si një nga personalitetet e spikatura të kulturës sonë kombëtare.

POEZI NGA MOIKOM ZEQO

GOGENI

Gogeni, kur u sëmur nga lepra e zezë

ende të gjallë e mbyllen në shtëpi:

dyert, dritaret ia gozhduan shpejt,

në sarkofagun e lemerishëm të tij.

Po brenda, brenda ishin pikturat,

ylberi i artit, magjia e bleruar,

të duart e Gogenit mbijetonte e bukura,

yllësitë e zemrës mrekullisht të shqetësuara

Lepra e vdekja ia rrethuan fytyrën

Gogeni s’pat frikë nga disfata e çastit,

muret e sarkofagut u çanë lehtësisht

nga forca radioaktive e artit!

******

FJALA SHPËTIMTARE

Ç’fjalë shpëtimtare e mposhti frikën?

Ç’mrekulli antike u ringjallën njëherësh?

Brenda syve të mi sa kryeengjëj digjen

Dhe pemët ulurijnë si të ishin njerëz!

Ca belbëzime fëmijësh i shkrijnë akujt

Dhe çelin jargavanë vetë palmat

Nga eshtrat e mia le të përhapet

Pluhuri i fosforit në të gjitha hartat!

******

QIEJT E RINJ

Dita e porsalindur thinjet me stres,

Mankthi shumëfishon realitetet vulgare.

Vdekja i thyen tërë orët-vezë

Për omletën e saj universale.

E mbjell një fidan ta kthej në Ejfel,

Që dielli nga lindja të lindë në perëndim!

Mbase duke gërmuar thellë do të gjej

Minierat e hershme të qiejve të rinj.

******

EPOSE PLUHURI

Sa epose pluhuri! Ka vdekur epika!

Ruleto kazinosh klonojnë orët e dorës.

Tek një studio shkrimtari është mobilja,

Zdrukthuar nga mbeturinat e Kalit të Trojës!

Ec këmbëzbathur gjer në cakun e fundit

Në boshin ku zëra sirenash s’më ndjellin.

Në ç’pupla palloi është afresku i Onufrit

Për tërë ëndrrat e mia që s’vdesin?

******

SKIFTERËT E PIKËLLIMIT TË MADH

Ç’AND e harruar do të na bëjë sërish

Personazhe të tjetërsuar në një përrallë?

Po ma çukitin trupin egërsisht

Skifterët mitikë të pikëllimit të madh!

Në udhëtimet e trurit një aksident më përplas,

Por ende nuk jam i vdekuri i kronikës.

Dhe dal dhe hyj i dehur në ekstazë

Si Khajami me lecka i elektronikës!

******

IDETË, ATLETË VIRTUALË

Ç’argjendar prej muzgut bën kurorën e mbretit

Te një përrallë dhe fantazie të hershme!

Idetë më kërcejnë mbi katet e qytetitAtletë virtualë të sporteve ekstreme.

Spartaku thrakas s’i udhëheq më skllevërit,

E përditshmja sfumohet nga gënjeshtra.

Jam si molla e tharë, e pangrënë e Edenit

Midis Tigrit dhe Eufratit në ëndrra.

******

AMSHIMI I KURDISUR

Ç’vegël fatale historinë e tredh?

Sa vela të shqyera lart në stuhi!

Te kockat e mia në varrin më të thellë

Një përpetum mobile e bën një përjetësi!

Koha s’u mungon veç drurëve të gjelbër

Me fotosintezën diku për të mbërritur.

Tek rrokjet e fjalëve unë i kam fshehur

Miliona sahatet e mi të kurdisur!

******

VËSHTRIMI INKANDESHENT

Përplasem, i mbyllur në botë pa intelekt,

Sahara është klepsidra e copëtuar

Por veç vështrimi im inkandeshent

I ndez në çast tërë qirinjtë e shuar!

O ç’robinsonadë në supermarket

Pa karta krediti në globin dyqan!

Shoh befas saksofonistin Charlie Parker

Dhe poetin e çmendur Thomas Dylan.

/Gazeta Panorama



Të ndryshme
Më shumë