TV LIVE
Nga Rajoni
23 December 2025
Arusha me katër këlyshë shfaqet në Kukës, banori rrëfen çastin

Një arushë së bashku me katër këlyshët e saj është shfaqur mëngjesin e sotëm në fshatin Kolesjan, në Kukës. Kafshët e egra janë parë duke lëvizur në rrugën kryesore të zonës, ndërsa çasti është fiksuar në një fotografi nga një banor i fshatit.

Nik Ismailja, banor i Kolesjanit, tregon se është përballur papritur me arushën dhe të vegjlit e saj teksa po udhëtonte me makinë drejt shtëpisë. Sipas tij, situata ka qenë e frikshme dhe e papritur.

“Isha në makinë dhe po shkoja në shtëpi. Papritur, në një prej kthesave të fshatit Kolesjan, u përballa me arinjtë. U shtanga dhe u tremba. Kam qëndruar në makinë për rreth dy orë, derisa ata u larguan nga rruga dhe u futën në pyll. Rruga ku u shfaqën është rruga kryesore e fshatit”, rrëfen Ismailja.

Ai shton se ka arritur të shkrepë vetëm një foto, pasi frika nuk i ka lejuar të lëvizë apo të realizojë video. “Nuk kam arritur të bëj video nga frika, kam qëndruar brenda makinës”, shprehet ai.

Banorëve ndërkaq u këshillohet të shmangin kontaktin dhe të njoftojnë autoritetet përkatëse në raste të tilla.



Të ndryshme
Më shumë