TV LIVE
Nga Rajoni
26 December 2025
Rama: Nis të marrë formë Teatri i ri Kombëtar, hapësirë ikonike për artin dhe kulturën

Teatri i ri Kombëtar do të kthehet jo vetëm në një hapësirë moderne për artin skenik, por edhe në një simbol të identitetit kulturor të kryeqytetit dhe të gjithë vendit.

Punimet në këtë kantier kanë avancuar, ndërkohë që godina e re do të jetë jo vetëm një hapësirë për artistët, por edhe një pikë e rëndësishme e jetës urbane dhe sociale të Tiranës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i Teatrit të ri Kombëtar, vepër e një prej arkitektëve më të shquar bashkëkohorë, Bjarke Ingels dhe studios daneze BIG.

Kryeministri theksoi se pas përfundimit të fazës komplekse të punimeve nëntokësore, projekti ka hyrë në etapën e realizimit ndërtimor, duke marrë formë një hapësirë ikonike për artin dhe kulturën.

Projekti parashikon salla bashkëkohore për shfaqje teatrore, ambiente multifunksionale për aktivitete kulturore, si dhe infrastrukturë teknologjike të standardeve europiane.

Teatri i ri do të ketë disa ambiente të posaçme për shfaqjet dhe aktorët. Më konkretisht, do të ketë një hapësirë prej 750 metrash katrorë auditor dhe me mbi 600 vende, me ballkon. Gjithashtu do të ketë një skenë teatri prej 630 metrash katrorë dhe dy salla Black Box prej 200 metrash katrorë secila.

Për artistët do të ketë një hapësirë prej 200 metrash katrorë që do të përdoret si sallë ndërrimi, një sallë provash prej 200 metrash katrorë, tualete dhe dushe, si dhe një dhomë të gjelbër.

Në shërbim të shfaqjeve të ndryshme artistike do ketë një dhomë instrumentesh muzikore, një depo materialesh skenike, një depo dekori, sallë teknikësh, etj. Gjithashtu do të ketë sallë kursesh dhe të gjitha lehtësirat për publikun.



Të ndryshme
Më shumë