TV LIVE
Nga Bota
2 January 2026
Fundoset varka me emigrantë në Gambia, të paktën 7 të vdekur dhe shumë të zhdukur

Të paktën shtatë emigrantë u mbytën dhe një numër ende i papërcaktuar personash rezultojnë të zhdukur pas një mbytjeje anijeje gjatë natës në brigjet e Gambisë. Sipas autoriteteve, mjeti lundrues besohet se transportonte mbi 200 persona, ndërsa 96 prej tyre u shpëtuan, njoftoi të enjten qeveria në Banjul.

Në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes thuhet se bëhet fjalë për një aksident të rëndë detar, ku një anije me emigrantë u përmbys rreth mesnatës së 31 dhjetorit pranë fshatit Xhinak, në rajonin e Bregut Verior (veriperëndim). Marina ushtarake, e njoftuar pas një sinjali rreziku, nisi rreth orës 01:00 një operacion kërkim-shpëtimi me mjete të saj dhe me ndihmën e një anijeje peshkimi.

Anija e mbytur u gjet e përplasur në një plazh me rërë. Autoritetet bënë të ditur se 96 persona u shpëtuan dhe po marrin ndihmë mjekësore, ndërsa gjashtë prej tyre janë në gjendje të rëndë. Deri tani janë nxjerrë shtatë trupa, ndërsa disa pasagjerë të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.

Shumë nga viktimat besohet se ishin shtetas të huaj dhe autoritetet po punojnë për të identifikuar kombësitë dhe të dhënat e tyre.

 

Prej vitesh, mijëra njerëz nga Afrika Perëndimore përpiqen të emigrojnë në mënyrë të parregullt drejt Evropës, duke ndjekur rrugën jashtëzakonisht të rrezikshme detare të Atlantikut për të arritur kryesisht në Ishujt Kanarie të Spanjës. Ata përdorin shpesh mjete të mbingarkuara dhe në gjendje të keqe, duke rrezikuar jetën.

Forcimi i kontrolleve detare në Senegal, Mauritani dhe Marok ka shtyrë nisjet e anijeve me emigrantë më në jug, drejt Gambisë dhe Guinesë-Konakri, duke rritur kohëzgjatjen e udhëtimit dhe rreziqet.

Qeveria e Gambisë shprehu “ngushëllimet e saj të sinqerta për familjet që janë në zi dhe për të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi”, duke riafirmuar njëkohësisht angazhimin e saj për të luftuar emigracionin e parregullt.

/vizionplus.tv

https://twitter.com/ani_digital/status/2006863006198804629?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E2006863006198804629%7Ctwgr%5E9a243de7cc4fe6818f89791d3571b3b697c1f3fd%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.vizionplus.tv%2Ffundoset-varka-me-emigrante-ne-gambia-te-pakten-7-te-vdekur-dhe-shume-te-zhdukur%2F



Të ndryshme
Më shumë