Qendra republikane për menaxhim me kriza (QRMK) informon se në rajonet në vend po stabilizohet gjendja pas reshjeve të rrëmbyeshme të shiut që e kapluan vendin këto ditë dhe shkaktuan pengesa në komunikacion.
Në rajonin e pellagonisë, gjendja në rajonin e Komunës së Manastirit është normalizuar dhe nuk ka probleme aktuale, përveç lagjes Strçin, ku janë evidentuar depozitime të zhavorrit dhe dheut, dhe një makinë ndërtimi e Ndërmarrjes Komunale “Niskogradba” po intervenon për pastrimin e rrugëve. Në fshatin Kravari janë përmbytur toka bujqësore rreth 10–20 hektarë, pa rrezik për objekte banimi apo industriale, ku problemi shkaktohet nga bllokimi i kanaleve kulluese. Në fshatrat Zhabeni dhe Porodin janë përmbytur rreth 70–80 hektarë toka bujqësore, ndërsa lumi Eleshka ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur rreth 100 hektarë tokë bujqësore; Ndërmarrja Publike “Vodostopanstvo” po intervenon me mekanizim.
Në Komunën e Prespës, si pasojë e reshjeve të dendura, janë përmbytur toka bujqësore, oborre, shtëpi, objekte ndihmëse dhe magazina për ruajtjen e mollëve; për shkak të daljes nga shtrati të lumit Golema, në disa ura është kryer devijim i trafikut. Uji në lumin Golema po ulet dhe situata është normalizuar. Në Komunën e Krushevës është regjistruar rritje e nivelit të lumit dhe dalje lokale e lumit Cërna pranë fshatit Buçin, por lumi është tërhequr dhe momentalisht nuk ka rrezik nga përmbytjet e reja. Në Komunën e Demir Hisarit, uji pranë fshatit Graishte është tërhequr, rruga Barakovo–Vardino është e kalueshme, ndërsa rruga drejt fshatit Mrenoga është e mbyllur për shkak të një ure të dëmtuar mbi lumin Boiska.
Në Komunën e Prilepit nuk ka dëme të raportuara dhe nuk janë evidentuar përmbytje, ndërsa në Komunën e Krivogashtanit pati dalje lokale të lumit Krushevska, duke përmbytur disa ara, por pa dëme materiale. Në Komunën e Dolnenit është raportuar dëmtim nga një banor në fshatin Lazhanë, me oborr dhe hapësira në katin e parë të përmbytura dhe dëmtim të duhanit; përmbytje janë evidentuar edhe në fshatin Peštalevo, ku është ndërhyrë me mekanizim ndërtimi.
Në Rajonin jugperëndimor, gjendja në Komunën e Ohrit është stabile dhe nuk ka përmbytje të lumenjve, të cilët janë kthyer në shtratin e tyre. Vetëm disa bodrume janë të përmbytur dhe po bëhet zbrazja e ujit. Në Komunën e Kërçovës po ulet niveli i lumenjve Zajaska dhe Treska dhe uji po tërhiqet gradualisht. Ekipet e NJTZ Kërçovë dhe Ndërmarrja publike “Komunalec” po intervenojnë me zbrazjen e ujit dhe pastrimin e kanaleve. Situata me objektet e banimit në rrugën “Prilepska”” nuk ka ndryshuar dhe 120 persona të evakuuar janë ende të strehuar në palestrën sportive “Hristo Uzunov”, ku u sigurohet kujdes shëndetësor, ushqim i ngrohtë, ilaçe dhe kushte higjienike.
Sipas informatave nga QRMK – Tetovë, në rajonin e Pollogut nuk ka shqetësime të mëdha të gjendjes normale për shkak të reshjeve, ku rruga drejt vendit Banjiçe është e pastruar, por qarkullimi ndalohet për arsye sigurie. Rruga drejt fshatit Gjermo është e kalueshme, ndërsa rruga drejt fshatit Brodec është pjesërisht e kalueshme dhe po bëhen ndërhyrje për pastrim. Në Komunën e Zhelinës është raportuar dalje e lumit Vardar në fshatin Strimnica, ku është dërguar mekanizim dhe situata ndiqet vazhdimisht
Nivel i rritur i ujit të lumenjve është regjistruar edhe në Rajonin lindor. Sipas informatave nga QRMK – Shtip, në rajonin e Koçanit është vënë re rritje e nivelit të lumenjve dhe kanaleve kulluese, ku lumi Koçan ka dalë lokalisht pranë fshatit Gorni Podlog dhe lumi Orizarska pranë fshatit Grdovcë. Në të dy vendet është intervenuar me mekanizim, qarkullimi pranë Grdovcit është rikthyer dhe deri tani nuk ka dëme të raportuara. Në Komunën e Probishtipit, për shkak të ngricës, rrugët janë spërkatur me kripë dhe zhavorr; të gjitha rrugët janë të kalueshme, por rekomandohet kujdes gjatë vozitjes.
Sipas informatave nga QRMK – Shkup, në rajonin e Shkupit nuk ka shqetësime të gjendjes normale për shkak të reshjeve, përveç një dalje të vogël lokale të lumit Vardar në Komunën e Zelenikovë, që nuk ka shkaktuar dëme materiale; rekomandohet kujdes gjatë lëvizjes pranë lumit.
Reshjet e shiut nuk e anashkaluan as Rajonin e Vardarit. QRMK – Veles informon se në rajonin e Vardarit nuk ka shqetësime të gjendjes normale për shkak të reshjeve, por niveli i lumit Vardar pranë Velesit është rritur dhe shtrati i lumit në zonën qendrore të qytetit është pothuajse i mbushur, pa rrezik për objekte banimi; rekomandohet kujdes i shtuar gjatë lëvizjes pranë lumit.
Sipas informacionit nga QRMK – Kumanovë, në komunat Kumanovë, Lipkovë dhe Staro Nagoriçane nuk ka shqetësime të gjendjes normale dhe nuk ka dalje të lumenjve. Gjithashtu, në rajonin e Kriva Pallankës, Rankovcës dhe Kratovës, situata është stabile, të gjitha rrugët janë të kalueshme dhe furnizimi me energji elektrike është normal. Sipas informacionit nga QRMK – Strumicë, në rajonin e Strumicës nuk ka shqetësime të gjendjes normale për shkak të reshjeve dhe deri tani nuk janë raportuar dëme.