TV LIVE
Nga Bota
17 January 2026
SHBA shpall bordin ndërkombëtar të Gazës

Shtëpia e Bardhë zyrtarizoi pjesëtarët e Bordit Ndërkombëtar të Paqes, që do të administrojë procesin e rindërtimit të Rripit të Gazës. Bordi do të drejtohet nga Donald Trump, ndërsa pjesë do të jenë edhe dhëndri i tij Jared Kushner, Marco Rubio dhe Steve Witkoff.

Donald Trump do të jetë në krye të “Bordit të Paqes”, organi i ri ndërkombëtar që do të mbikëqyrë Gazën, sipas planit të paqes të hartuar nga vetë presidenti amerikan që solli fundin e konfliktit 2-vjeçar me Izraelin. Shtëpia e Bardhë shpalli përbërjen e bordit të përkohshëm që do të mbikëqyrë procesin e rindërtimit të Rripit të Gazës të rrënuar. Në ekipin ekzekutiv bëjnë pjesë Sekretari i Shtetit Marco Rubio, dhëndri i Trump Jared Kushner, i dërguari i posaçëm Steve Witkoff dhe ish-kryeministri britanik Tony Blair. Ky bord do të ketë fuqi absolute mbi tranzicionin politik të territorit pas luftës.

Bordi do të mbikëqyrë qeverinë e re të teknokratëve palestinezë, e krijuar për herë të parë pas dekadash. Çdo vendim i tyre do të filtrohet nga Nickolay Mladenov, ish-i dërguari i OKB-së, i cili është emëruar Përfaqësues i Lartë. Ndërkohë, siguria në terren do t’i besohet një Force Ndërkombëtare Stabilizimi, e cila do të udhëhiqet nga gjenerali amerikan Jasper Jeffers.

Në bordin e nivelit të lartë bëjnë pjesë edhe miliarderi Marc Rowan dhe kreu i Bankës Botërore Ajay Banga, por ajo që ka ngritur polemika është mungesa totale e palestinezëve në vendimmarrjen ekzekutive. Kritikët e kanë cilësuar këtë strukturë si “koloniale”, ku fuqitë e huaja dhe biznesmenët vendosin për fatin e një populli pa përfshirjen e tyre direkte.

Pavarësisht skepticizmit, plani është miratuar formalisht si nga Izraeli ashtu edhe nga Hamasi.

Tv Klan

/tvklan.al



Të ndryshme
Më shumë