Ministrja për Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, në një deklaratë për mediat u ndal te ftesa e Presidentit Donald Trump, që Shqipëria të jetë në Bordin e Paqes.
Ajo u shpreh se Shqipëria ka marrë një vlerësim të lartë , ku cilësohet si vend anëtar themelues.
“Sot kam kënaqësi të ndaj me ju disa komente mbi një zhvillim me rëndësi të veçantë për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, e për mënyrën sesi dinamika krejt e re e politikës sonë të jashtme në dekadën e fundit, po sjell në vazhdimësi rezultate të paimagjinueshme deri jo shumë vite më parë.
Presidenti i SHBA Donald Trump, përmes një letre për Kryeministrin Edi Rama, ka ftuar Republikën e Shqipërisë për t’iu bashkuar një organizmi të ri ndërkombëtar të quajtur “Bordi i Paqes”, në cilësinë e “Vendit Anëtar Themelues”.
Në krye e mbi të gjitha, duhet pranuar se kjo ftesë është një vlerësim i lartë, për rolin e ri që Shqipëria ka marrë ndër vite në çështjet e paqes, sigurisë dhe stabilitetit, në rajonin tonë sigurisht, por edhe në gjirin e organizatave ndërkombëtare.
Nuk ka dyshim se ftesa e Presidentit të Amerikës është edhe një vlerësim i drejtpërdrejtë për lidershipin e Kryeministrit Edi Rama, i cili është ftuar personalisht si anëtar i Bordit të Paqes”, tha Spiropali.
Ajo shtoi: “Fatkeqësisht, edhe për një ngjarje me një peshë të tillë, krejt të veçantë për Shqipërinë e vogël, ky lajm i mirë për emrin e Shqipërisë e të shqiptarit në botë, është pasuar nga një lumë marrëzish të derdhura në mexhlisin e informimit publik.
Ndërkohë që Shqipëria ftohet si bashkë-ndërtuese e një mekanizmi të ri ndërkombëtar, i cili synon ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe funksionale në botë, duke nisur me një nga sfidat më të ndërlikuara dhe më të ndjeshme të sigurisë globale, siç është e ardhmja e rripit të Gazës, opinioni publik shqiptar sulmohet nga brenda me gjithëfarë fantazish të kundërshtarëve të kësaj qeverie.
Bordi i Paqes përfaqëson një qasje të re, të ndryshme nga modelet tradicionale të trajtimit të konflikteve dhe mekanizmat ekzistues të menaxhimit të krizave. Ai lind në një kohë ndryshimesh të mëdha për botën dhe ofrohet si një prirje e re që sfidon inercinë në terrenet e konflikteve të shtresëzuara me dekada të tëra, duke synuar ndërtimin e një paqeje që funksionon dhe i reziston kohës.
Ne e shohim këtë nismë si një përpjekje të fortë dhe fisnike për të shkuar përtej deklaratave politike apo angazhimeve formale, në kërkimin e zgjidhjes së qëndrueshme të konflikteve.
Përvoja jonë si vend që ka dalë nga një errësirë e thellë, ka lënë pas raporte të vështira dhe ka investuar në paqe, bashkëjetesë dhe bashkëpunim rajonal pa kufinj, por më lejoni të shtoj, edhe modeli ynë i jashtëzakonshëm i bashkëjetesës fetare, janë një vlerë e shtuar që Shqipëria do të çojë në tryezën e lartë të Bordit të Paqes, me statusin e Anëtarit Themelues, i cili i jep Shqipërisë një mundësi historike në formësimin e vizionit, parimeve dhe zgjidhjeve të Bordit të Paqes në të mirë të njerëzimit”.
E pyetur për ishullin e Sazanit, Spiropali tha: “Jo vetëm familja e Presidentit Trump, por të gjithë zyrtarët e SHBA-së janë të ftuar në Republikën e Shqipërisë. Dhe ne nuk kemi asnjë detyrim të japim informacion mbi vizitat e tyre, qoftë private, qoftë etj. Nuk ka asnjë plan për falje tokash. Asnjë plan për dhënie të territoreve shqiptare, por ka një partneritet të qartë. As SHBA, as Presidenti Trump, as familja e tij nuk kërkon që Shqipëria të falë toka apo të angazhohet në aktivitete të tilla. Ka projekte serioze, që janë pjesë e projekteve tona zhvillimore”.