TV LIVE
Kuriozitete
21 January 2026
Muzeu i Krujës ekspozoi hartën portulane të vitit 1455 në 558-vjetorin e Skënderbeut

Në kuadër të 558-vjetorit të ndarjes nga jeta të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë ka vënë në dispozicion të publikut një hartë portulane të vitit 1455, e vlerësuar si dokument i rrallë me peshë të veçantë historike dhe evropiane, shkruan Portalb.mk.

Harta origjinale e Bartolomeo Paretose vitit 1455, një nga dëshmitë më të rralla të hartografisë evropiane të shekullit XV, vendos emrin e Skënderbeut si toponim në qendër të Ballkanit, duke dëshmuar se ai ishte që në kohën e tij një figurë referimi për oborret mbretërore të Europës dhe të botës së krishterë.

Një ekzemplar i certifikuar sipas standardeve më të larta shkencore, tashmë i ekspozuar dhe i qasshëm për publikun, studiuesit dhe brezat e rinj, që pasuron ndjeshëm trashëgiminë tonë kulturore dhe historike dhe e vendos historinë shqiptare në kontekstin e saj të vërtetë europian, bëjnë të ditur nga faqja zyrtare e Muzeut Historik dhe Etnografik, Krujë.

Foto nga harta portulane e vitit 1455. Foto: Muzeu Historik dhe Etnografik, Krujë (Facebook)

Foto nga harta portulane e vitit 1455. Foto: Muzeu Historik dhe Etnografik, Krujë (Facebook)

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë, Blendi Gonxhja, e ka cilësuar atë si “një dëshmi unike të historisë europiane dhe shqiptare”. Sipas Gonxhes, në këtë dokument kartografik emri “Scandre Beco” (Skënderbeu) shfaqet si referencë gjeografike në një Ballkan të përfshirë nga presioni osman në rritje. Ai theksoi se prania e emrit të Skënderbeut në hartë dëshmon jehonën që figura e tij kishte që për së gjalli dhe rolin e tij në historinë e shekullit XV.

Ministri vlerësoi gjithashtu se ky dokument përbën një burim të rëndësishëm për studimet albanologjike dhe për historinë e Europës në kalimin nga Mesjeta në Kohën e Re, duke nënvizuar se hartat portulane shërbejnë si dëshmi konkrete të njohjes së Shqipërisë dhe të figurës së Skënderbeut në botën e asaj kohe.

Foto nga harta portulane e vitit 1455. Foto: Muzeu Historik dhe Etnografik, Krujë (Facebook)

Foto nga harta portulane e vitit 1455. Foto: Muzeu Historik dhe Etnografik, Krujë (Facebook)

Ekspozita synon t’u ofrojë vizitorëve një përvojë edukative dhe historike, duke vënë në pah trashëgiminë kulturore dhe rolin e Skënderbeut si simbol i rezistencës dhe identitetit shqiptar. Ministri Gonxhja ftoi qytetarët dhe vizitorët të vizitojnë muzeun dhe të njihen nga afër me këtë dokument unik me vlerë historike, kulturore dhe shkencore.



Të ndryshme
Më shumë