Edhe pas 95 vitesh nga premiera e tij, City Lights (1931) i Charlie Chaplinit vazhdon të konsiderohet si një nga filmat më të mëdhenj të realizuar ndonjëherë. Komedia romantike pa dialog jo vetëm që i ka rezistuar kohës, por ka ndikuar thellë breza të tërë kineastësh, falë thjeshtësisë, humanizmit dhe një fundi që mbetet ndër më emocionuesit në historinë e filmit.
Në vitin 1966, Charlie Chaplin deklaroi për revistën Life se City Lights ishte filmi i tij i preferuar. “Mendoj se është i qëndrueshëm dhe i realizuar mirë”, u shpreh ai me modesti, një vlerësim shumë më i përmbajtur sesa ai i kritikës ndërkombëtare.
Që nga premiera më 30 janar 1931 në Los Angeles, filmi është renditur vazhdimisht në listat e filmave më të mëdhenj të të gjitha kohërave nga Instituti Britanik i Filmit (BFI). Regjisorë si Stanley Kubrick, Orson Welles dhe Andrei Tarkovsky e kanë përmendur si një nga veprat e tyre të preferuara.
City Lights rrëfen historinë e Vagabondit, personazhit ikonë të Chaplinit, i cili dashurohet me një vajzë të verbër që shet lule (Virginia Cherrill). Ajo e ngatërron me një milioner, ndërsa ai bën gjithçka për ta ndihmuar, duke sakrifikuar lirinë dhe dinjitetin e tij që ajo të shërohet dhe të shpëtojë nga varfëria.
Skena e fundit, ku vajza tashmë e shëruar e njeh më në fund Vagabondin, konsiderohet nga shumë kritikë si përfundimi më i bukur në historinë e kinemasë. Pa fjalë, vetëm me vështrime dhe mimikë, Chaplin arrin një intensitet emocional të rrallë.
Forca e kësaj skene qëndron edhe te fundi i hapur: filmi nuk na tregon nëse ata përfundojnë bashkë. Ky ambiguitet e ka mbajtur City Lights gjithmonë aktual dhe të hapur për interpretime të ndryshme.
Momenti final i City Lights është ripërdorur dhe nderuar në shumë filma të mëvonshëm, nga The 400 Blows te Moonlight dhe Gone Girl. Edhe pse u realizua në një kohë kur filmat me zë po dominonin Hollywood-in, Chaplin këmbënguli në një film pa dialog, duke besuar se Vagabondi i përkiste kinemasë së heshtur.
Me një buxhet rekord për kohën dhe vite pune të mundimshme, City Lights u shndërrua në një sukses të madh kritik dhe financiar. Sot, pothuajse një shekull më vonë, ai vazhdon të shihet si filmi më i dashur dhe më jetëgjatë i Charlie Chaplinit.
Në një epokë të mbingopur me fjalë dhe zhurmë, City Lights dëshmon se emocionet më të forta mund të shprehen edhe në heshtje.
/tvklan.al