Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka vijuar procesin e reformimit dhe konsolidimit të strukturave të saj partiake, duke emëruar katër kryetarë të rinj degësh në disa komuna të vendit.
Vendimet janë marrë nga Kryetari i BDI-së, z. Ali Ahmeti, dhe përfshijnë këto emërime:
• Likovë – Avni Saliji
• Zhelinë – Emir Sulejmani
• Tearcë – Bujar Jakupi
• Saraj – Iljas Veseli
Sipas komunikatës zyrtare të partisë, kjo pako e re e kryetarëve të degëve synon forcimin e organizimit të brendshëm të BDI-së, me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë, funksionalitetit dhe performancës politike në nivel vendor dhe qendror.
Nga kjo parti theksojnë se procesi i reformave të brendshme po vazhdon me ritme të theksuara, duke përfshirë kontributin e të gjithë anëtarëve dhe strukturave partiake. Fokusi kryesor, sipas BDI-së, mbetet rritja e përgjegjësisë politike, efikasitetit organizativ dhe përgatitja e partisë për sfidat e ardhshme politike në vend.
BDI vlerëson se këto ndryshime përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të strukturave partiake dhe forcimit të rolit të saj në skenën politike.