TV LIVE
Sport
6 February 2026
Nga “San Siro” në Kortina, nis sot Olimpiada Dimërore. Lara Kolturi udhëheq Shqipërinë

Njëzet vjet pas “Torino 2006”, Italia rikthehet në qendër të vëmendjes së botës sportive me Lojërat Olimpike Dimërore “Milano-Cortina 2026”.

 

Aktiviteti do të nisë zyrtarisht sot në orën 20:00, me një risi absolute: një ceremoni hapjeje e zhvilluar njëkohësisht në dy vende – në stadiumin ikonik “San Siro” në Milano dhe në sfondin historik të “Cortina d’Ampezzo”. Një debutim i dyfishtë që pasqyron natyrën “të shpërndarë” të këtij edicioni, i cili do të përfshijë gjithë harkun alpin.

HARTA E GARAVE Në Lojërat Olimpike Dimërore “Milano-Cortina 2026” do të zhvillohen gjithsej 11 disiplina sportive. Programi garues, i cili do të shënojë edhe debutimin absolut të skialpinizmit, do të shpërndahet mes Lombardisë, Venetos dhe Trentino-Alto Adige. Kështu në Milano dhe Valtellina do të zhvillihen disiplinat: hokej mbi akull, patinazh, “freestyle” dhe ski alpine për meshkuj në pistën legjendare “Stelvio di Bormio”. Në Cortina d’Ampezzo do të garohet në ski alpine për femra dhe garat e shpejtësisë në pista (bob, skeleton dhe slitë). Ndërsa Dolomitet dhe luginat alpine do presin biatlonin në Anterselva, ndërsa Val di Fiemme do të jetë qendra e kërcimit me ski, kombinimit nordik dhe skive të fondit.

SHQIPËRIA Në “Milano-Cortina 2026” Shqipëria do të shënojë pjesëmarrjen e saj të gjashtë në histori në Lojërat Olimpike Dimërore. Kombëtarja kuqezi ka marrë pjesë për herë të parë në një Olimpiadë Dimërore në “Torino 2006” dhe që prej atij edicioni ka qenë gjithnjë e pranishme, por me numër shumë të kufizuar sportitësh, ku maksimumi i pjesëmarrësve ka qenë dy sportistë. Këtë edicion Shqipëria shënon rekord pjesëmarrjeje, pasi shkon ne “Milano-Cortina” me katërt sportistë, kur pritshmëritë më të larta janë sigurisht te Lara Kolturi.

KOLTURI MBAN FLAMURIN Lara Kolturi do të jetë flamurmbajtësja e Shqipërisë në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore në “Cortina d’Ampezzo”. Skiatorja 19- vjeçare nga Piemonte, e cila tre sezone më parë vendosi të garojë për Shqipërinë pas kalimit në kategorinë e seniorëve, është vajza e Daniela Çekarelit, kampione olimpike në super-G në “Salt Lake City 2002”. Gjatë këtij sezoni, Kolturi ka arritur katër podiume në slalom (dy vende të dyta dhe dy të treta), si dhe është renditur e gjashta në garën e sllallomit gjigant në Kranjska Gora. Ndërohë parada e sportistëve në Milano do të hapet nga Armenia, e përfaqësuar nga patinatorët Karina Akopova dhe Nikita Rakhmann.

Ndërsa në Kortina, e para që do të parakalojë do të jetë pikërisht Lara Kolturi. Në mbyllje do të hyjnë në skenë flamurtarët italianë: Arianna Fontana dhe Federico Pellegrino në Milano, si dhe Federica Brignone dhe Amos Mosaner në Kortina. Përfaqësuesja “Azzurre” paraqitet në “Milano-Cortina 2026” me delegacionin më të madh në historinë e saj dimërore: 196 atletë (103 meshkuj dhe 93 femra), duke thyer rekordin e vendosur në Torino. Festa e madhe e sportit do të mbyllet më 22 shkurt, në skenografinë madhështore të Arena di Verona, pas 16 ditësh garash epike, duke ia kaluar stafetën olimpike edicionit pasardhës që do të mbahet pas 4 vitesh në Francë.

j

 



Të ndryshme
Më shumë