TV LIVE
Nga Rajoni
6 February 2026
Takimi historik me Papën, Rama ndan çaste të veçanta nga vizita e tij në Vatikan

Vetëm një ditë pas vizitës së tij në Vatikan ku u takua me Papa Leonin XIV, kryeministri Edi Rama ka ndarë mëngjesin e kësaj të premteje disa momente nga ky takim.

“Mirëmëngjes dhe me disa çaste të bukura nga takimi me Papa Leonin XIV, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kryeministri krahas videos në Facebook, ku shihet i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij Linda Rama dhe djali i vogël Zaho.

Gjithashtu, pjesë e vizitës në Vatikan ishin edhe takimet me Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinalin Pietro Parolin, dhe imzot Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.

Recently Spotted Asteroid Set for Near Miss With EarthKeep Watching

Sipas Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, në fokus të bisedimeve ishin marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Vatikanit, si dhe tema që lidhen me çështjet rajonale: “Në bisedimet e përzemërta u vu në dukje marrëdhënia e mirë që ekziston ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë, si dhe u trajtuan tema me interes të përbashkët që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet bashkësisë kishtare dhe asaj civile. Gjithashtu në fokus ishin edhe çështjet kryesore rajonale, përfshirë situatën në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian”.

Një tjetër ndalesë e Kryeministrit, së bashku me bashkëshorten e tij, ishte në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe në disa nga ambientet më të rëndësishme të Vatikanit, përfshirë Kapelën Sistine dhe altarin e Shën Gjon Palit II. Gjithashtu, kryeministri Rama ka kryer homazhe edhe në varrin e Papa Françeskut, ku bashkë me gruan dhe djalin vendosën një buqetë me lule.



Të ndryshme
Më shumë