Performanca e Bad Bunnyt në "Super Bowl 2026" pati një ndikim të menjëhershëm dhe të fuqishëm në dëgjimin global të muzikës së tij, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Apple Music.
Menjëherë pas përfundimit të shfaqjes, "playlist"-i i performancës së tij u shndërrua në setin më të dëgjuar në platformë, duke reflektuar interesin e jashtëzakonshëm të publikut në mbarë botën.
Bad Bunny dominoi listën Apple Music Daily Top 100 Global me gjithsej 23 këngë, nga të cilat nëntë u renditën në Top 25 dhe pesë në Top 10.
Kënga “DtMF” arriti drejtpërdrejt në vendin e parë, ndërsa disa këngë të tjera shënuan rikthime të forta në lista.
Gjashtë prej tyre u futën sërish në Top 100 për herë të parë që nga shkurti i vitit 2025, ndërsa bashkëpunimi i njohur “I Like It” me Cardi B dhe J Balvin u rikthye në listë për herë të parë që nga janari i vitit 2020.
Suksesi nuk u kufizua vetëm në këngë individuale.
Albumi “Debi Tirar Mas Fotos” u rendit në listat e albumeve të Apple Music në 155 vende, duke arritur Top 10 në 128 prej tyre dhe vendin e parë në 46 shtete, përfshirë Meksikën, Kolumbinë, Kilin, Brazilin, Gjermaninë, Francën dhe Spanjën.
Kjo tregon qartë shtrirjen globale dhe ndikimin ndërkombëtar të artistit porto-rikan.
Duke komentuar këto rezultate, Oliver Schusser, nënkryetari i Apple Music dhe Beats, theksoi se rritja e vazhdueshme e Bad Bunnyt në platformë është rezultat i një baze fansash jashtëzakonisht të angazhuar dhe i ndikimit të tij të madh në kulturën muzikore globale.