TV LIVE
Nga Vendi
12 February 2026
BANORËT PROTESTOJNË KUNDËR NDËRTIMIT TË NJË DEPONIE TË PËRKOHSHME AFËR RESHTANIT DHE TRAPÇINDOLLIT

Përfaqësues të dhjetëra fshatrave protestuan  në vendin e quajtur “Bunari i Seferit”, duke kundërshtuar, siç thonë ata, ndërtimin e një deponie të përkohshme në një lokacion në afërsi të  fshatrave Reshtan dhe Trapçindoll.
Banorët kërkojnë sqarime nga Komuna e Kërçovës lidhur me punimet që po zhvillohen në terren. Ata paralajmëruan se, nëse nuk marrin përgjigje të qarta nga autoritetet komunale, do të vazhdojnë me protesta të përditshme dhe nuk do të lejojnë ndërtimin e deponisë së përkohshme në këtë lokacion.

Kundërshtim ndaj këtij projekti ka shprehur edhe Myftinia e Kërçovës, pasi lokacioni në fjalë për deponinë e përkohshme ndodhet në afërsi të varrezave myslimane të qytetit.

Ndërkohë, lidhur me këtë çështje i pyetur nga Tv Uskana drejtori i NP “Komunalec” – Kërçovë, Bojan Stojkoski, në përgjigjen me shkrim nuk dha sqarim konkret ,por  theksoi se ndërmarrja publike vazhdimisht punon për përmirësimin e shërbimeve komunale dhe zgjidhjen e problemeve në terren.
“Si ndërmarrje publike, mbetemi të përkushtuar ndaj veprimit në kohë, punës në terren dhe ofrimit të shërbimeve në përputhje me nevojat e qytetarëve dhe planet e Komunës së Kërçovës. Sa i përket revoltës së shprehur nga një pjesë e banorëve, duam të theksojmë se deri në këtë moment NP ‘Komunalec’ – Kërçovë nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar, apo vërejtje dhe kërkesa të dorëzuara formalisht që lidhen me ndonjë problem konkret në terren apo me ndonjë aktivitet të lidhur me rastin konkret”, deklaroi Stojkoski.
Ai shtoi se NP “Komunalec” – Kërçovë mbetet e hapur për bashkëpunim dhe komunikim me të gjithë qytetarët.



Të ndryshme
Më shumë