TV LIVE
Nga Vendi
13 February 2026
Nga aksidenti fatal te arratisja: Çfarë ndodhi me rastin “Llaskarca” pas shtatë vitesh?

Sot shënohen shtatë vjet nga fatkeqësia e rëndë e autobusit të kompanisë “Durmo Turs” në Llaskarcë të Shkupit, ku humbën jetën 16 persona dhe 38 të tjerë pësuan lëndime. Tragjedia, që tronditi opinionin publik, u pasua nga një proces gjyqësor i gjatë, raporton SHENJA.

Në përfundim të gjykimit fillestar, gjashtë persona u shpallën fajtorë dhe u dënuan me gjithsej 39 vjet burg. Sipas aktgjykimit, përgjegjësia kryesore i atribuohej shoferit të autobusit, i cili mori dënimin më të lartë – 14 vjet heqje lirie. Pronari i kompanisë transportuese u dënua fillimisht me katër vjet burg, por më vonë, me vendim të Gjykata e Apelit në Shkup, dënimi iu rrit në 10 vjet. E njëjta masë prej 10 vitesh iu shqiptua edhe përgjegjësit për transportin, Remzi Miftari.

Megjithatë, në përvjetorin e shtatë të aksidentit, Remzi Miftari rezulton i arratisur. Ai kishte kërkuar shtyrje të vuajtjes së dënimit me arsyetimin se do t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale, por më pas u largua nga vendi, duke mos u paraqitur për ekzekutimin e dënimit.

Së fundmi, një mbikëqyrje e jashtëzakonshme në gjykatë ka evidentuar një varg parregullsish që lidhen me këtë rast. Janë konstatuar lëshime në procedurat për ekzekutimin e sanksioneve nga gjykatësi kompetent, nga anëtarët e Këshillit Penal në Gjykatën e Gostivarit, si dhe në shërbimin postar të stacionit policor në Gostivar. Gjithashtu, janë vënë në pikëpyetje edhe shtyrjet mjekësore të aprovuara në rastin e Miftarit.

Ndërkohë, Gjykata e Apelit në Shkup, duke vepruar pas ankesës së Prokurorisë, i hodhi poshtë si të pabazuara ankesat e disa prej të dënuarve në rastin “Llaskarca”, duke lënë në fuqi vendimet e rishikuara dhe duke ashpërsuar dënimet për disa prej tyre.



Të ndryshme
Më shumë