TV LIVE
Nga Rajoni
17 February 2026
Begaj: Ish-krerët e UÇK-së po përballen me akuza të montuara, sot Kosova po ecën me hapa të sigurt drejt së ardhmes

Kuvendi i Kosovës zhvilloi një seancë solemne me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë. I pranishëm në këtë seancë ishte edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili mbajti edhe një fjalim. Ai u shpreh nga foltorja se Kosova është një realitet i pakthyeshëm.

“Në emër të Republikës së Shqipërisë ju uroj gëzuar Ditën e Pavarësisë. Çdo shqiptar kudo ndodhet, çdo familje shqiptare në Shqipëri a diasporë sot ndihen pjesë e festës, e gëzimit, urimit dhe krenarisë. Sot është një ditë e madhe. Sot Kosova mbush 18 vjeç. Në jetën e një njeriu kjo është mosha e pjekurisë, momenti kur ëndrrat e fëmijërisë marrin formën e përgjegjësisë. Në jetën e një shteti ky përvjetor është dëshmia se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, një shtet sovran”, u shpreh Begaj.

Begaj deklaroi para deputetëve të Kosovës se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po përballen me një betejë të vështirë dhe të padrejtë në Hagë.

“Mendimi ynë është edhe me ata që po përballen me një betejë të vështirë të padrejtë dhe vendimtare në Hagë. Historia e Republikës së Kosovës nuk mund të kuptohet dhe as të shkruhet pa emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre. Ata që dje udhëhoqën popullin drejt lirisë sot po përballen padrejtësisht me akuza të montuara në Gjykatën Ndërkombëtare duke na bërë të gjithëve të ndihemi të fyer, të paragjykuar dhe të akuzuar. Ata, UÇK dhe gjithë të tjerët që morën armët për të kërkuar lirinë për atdheun e tyre, familjet e tyre, janë siç kanë qenë e do të jetë gjithmonë, kudo, kurdo, e në çdo kohë, simbole të lirisë. Ata janë memorie shtetërore e kombëtare. E vërteta nuk mund të tjetërsohet dhe historia nuk mund të rishkruhet e as ndryshohet, sepse liria ka emër, liria meriton respekt, liria meriton drejtësi, liria meriton mirënjohje.  Republika e Shqipërisë është me UÇK, me komandantët dhe ushtarët e UÇK, me qytetarët e Kosovës me dhimbjen dhe zemërimin e tyre.  Shqipëria ka qëndruar pranë Kosovës, Shqipëria qëndron sot krah Kosovës dhe do qëndrojmë jetë e mot krah Kosovës”, tha Begaj.

Presidenti i Shqipërisë deklaroi se Kosova e sotme është një shtet i ri në vite, por me rrënjë të thella sakrificash, kontributesh dhe meritash.

“Ajo ecën me hapa të sigurta drejt së ardhmes”, tha Begaj.



Të ndryshme
Më shumë