TV LIVE
Nga Vendi
18 February 2026
Letër Ngushëllimi dhe Lavdie për Martirin e Veprimtarisë Kombëtare, Fikret Nuredini – Reçani nga SHVL–UÇK Kombëtare

SHVL–UÇK KOMBËTARE
Letër Ngushëllimi dhe Lavdie për Martirin e Veprimtarisë Kombëtare, Fikret Nuredini – Reçani

Të nderuar anëtarë të familjes së ngushtë dhe të gjerë të të përjetshmit Fikret Nuredini,

Të nderuar bashkëveprimtarë, bashkëluftëtarë, shokë, miq, vendorë dhe të gjithë pjesëmarrës në ceremonialin e fundit të më të dashurit tuaj, i cili u nda fizikisht nga ju në moshën e pjekurisë—

Lajmi për ndarjen nga jeta të Fikretit na erdhi në mërgim, dyfish i hidhur: sepse humbëm një bashkëveprimtar të devotshëm dhe sepse nuk na u dha mundësia të jemi pranë jush në lamtumirën e fundit.

Fikretin e patëm në mesin e çlirimtarëve nën emblemën e UÇK Kombëtare, në kuadër të Brigada 116 Tahir Sinani, i përbetuar për Liri, Barazi, Gjuhë, Flamur, Identitet dhe Dinjitet Kombëtar. Ai shërbeu me përkushtim në vendlindje, në Gostivar, në Pollog e Sharr, në Tanushë e në të dy anët e Sharrit, duke dëshmuar disiplinë të hekurt, respekt të plotë ndaj urdhrave dhe vendimeve të eprorëve.

Qëndroi pranë të plagosurve të Lirisë dhe pranë atyre që me gjakun e tyre vulosën shtetësinë, duke kontribuar në rrugën që çoi drejt Marrëveshjes së Ohrit 2001 dhe Kushtetutës së vendit 2002.

Gjatë një çerek shekulli ishte me ne, në kuadër të subjektit të dalë nga lufta dhe të SHVL–UÇK Kombëtare, duke mbetur shembull i qëndrueshmërisë, besnikërisë dhe idealit të pathyeshëm kombëtar.

Sot, ndërsa e përcjellim me nderim dhe dhimbje, kujtimi i tij mbetet frymëzim për brezat që vijnë. Vepra e tij është pjesë e historisë sonë të përbashkët dhe e sakrificës për të drejta dhe dinjitet.

I qoftë e lehtë toka e kuqe arbërore!
Të jetojnë, të përparojnë dhe të krenohen anëtarët e familjes së ngushtë dhe të gjerë me emrin dhe veprën e tij!

18.2.2026, Gostivar
Viset Natyrale – Diasporë
SHVL–UÇK KOMBËTARE
Fazli Veliu – Kryesia



Të ndryshme
Më shumë