Një mijë e dhjetë kilogramë “ushqim i shëndetshëm” i pasigurt janë shkatërruar nga shërbimet inspektuese të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV) tek 14 operatorë, si pjesë e 373 kontrolleve të kryera këtë javë, te operatorët e caktuar si objekte për prodhimin dhe tregtimin e ushqimit të shëndetshëm, njoftoi sot Agjencia.
Kontrollet përcaktuan se 14 operatorë nuk ishin regjistruar fare si operatorë ushqimi në Agjenci. Për mospërputhjet e vërtetuara me kontrollet, janë lëshuar 65 vendime, 19 paralajmërime dhe 44 gjoba, me një vlerë të përgjithshme prej 20.550 eurove në kundërvlerë të denarit.
Tek 9 operatorë, kontrollet përcaktuan kushte higjienike dhe teknike të pakënaqshme në objekte, te 7 u gjet ushqim me datë të skaduar. Te dy operatorë u gjet edhe ushqim me origjinë të panjohur.
Tek 18 operatorë ushqimi ishte etiketuar në mënyrë të papërshtatshme, ndërsa te 23 punonjësit nuk kryen kontroll të detyrueshëm shëndetësor. Dy nga operatorët nuk kishin procedura për Praktikën e mirë të prodhimit dhe praktikën e mirë të higjienës ose nuk mbanin evidenca të përshtatshme. Tek i njëjti numër operatorësh, nuk është kryer dezinfektimi, dezinsektim dhe derratizimi i detyrueshëm i objekteve”, theksojnë nga AUV.