TV LIVE
Nga Vendi
23 February 2026
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut vitin e kaluar i ‘lanë’ 2.8 miliardë euro në kazino e bastore

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut vitin e kaluar kanë paguar rreth 2.8 miliardë euro në kazino, bastore dhe klube aparatesh, tregon analiza e emisionit “Biznis Objektiv”.

Kjo shumë përfaqëson një rrjedhje të madhe financiare drejt industrisë së lojërave të fatit dhe hap pyetje serioze për pasojat ekonomike dhe sociale, përcjell INA.

Sipas analizës, bëhet fjalë për një shumë që është e krahasueshme me një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të shtetit, gjë që tregon se sa pjesë të madhe zë industria e bixhozit në rrjedhat financiare të vendit.

Disa nga ekspertët paralajmërojnë se ky lloj shpenzimi ka ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetet personale të qytetarëve, në rritjen e borxheve dhe në varfëri. Kazinotë dhe bastoret në vitet e fundit shënojnë rritje të vazhdueshme, të nxitura nga qasja e lehtë, platformat online dhe marketingu agresiv, por paralelisht me rritjen e të ardhurave rriten edhe problemet e lidhura me varësinë nga bixhozi, borxhet familjare dhe pasojat sociale, përcjell INA.

Edhe pse industria sjell të ardhura përmes taksave dhe licencave, ekonomistët paralajmërojnë se një pjesë e madhe e parave riorientohen nga konsumi produktiv drejt një sektori që nuk krijon vlerë të re në ekonominë reale. Analiza hap gjithashtu pyetje mbi nevojën për rregulla më të rrepta, kufizimin e numrit të objekteve, kontrollin e bixhozit online dhe forcimin e programeve për parandalimin e varësisë. Shuma prej 2.8 miliardë eurosh tregon qartë se industria e bixhozit po bëhet një nga sektorët financiarë më të fuqishëm në vend, por edhe një nga më kontroversët. (INA



Të ndryshme
Më shumë