TV LIVE
Sport
21 April 2026
Lecce barazon ndaj Fiorentinës, Ramadani më i miri në fushë

Barazim 1-1 në përballjen mes Lecce dhe Fiorentina, e vlefshme për javën e 33-të të Serie A. Sfida e zhvilluar në “Stadio Via del Mare” prodhoi emocione dhe gola nga të dyja skuadrat, por në fund palët ndanë pikët.

Të parët që kaluan në avantazh ishin miqtë nga Firence, të cilët shënuan në minutën e 30-të me Harrison, duke mbyllur pjesën e parë në epërsi. Megjithatë, reagimi i vendasve erdhi në pjesën e dytë, kur Tiago Gabriel barazoi shifrat në minutën e 71-të, duke rikthyer ekuilibrin në takim.

Ky rezultat lë situatën të vështirë për Lecce-n, që me 28 pikë renditet në vendin e 18-të dhe aktualisht ndodhet në zonën e rënies nga kategoria, edhe pse shpresat për mbijetesë mbeten të hapura. Në anën tjetër, Fiorentina me 36 pikë pozicionohet në vendin e 15-të, duke qëndruar disi më e qetë në renditje.

Një paraqitje shumë e mirë në këtë ndeshje bëri edhe mesfushori i kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani, i cili ishte titullar dhe luajti gjatë gjithë takimit për Lecce-n. Sipas vlerësimeve të “Flashscore”, Ramadani u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes, duke marrë notën 8.5 për performancën e tij.



Të ndryshme
Më shumë