TV LIVE
Teknologji
28 April 2026
Google nënshkruan marrëveshje me Pentagonin për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në misione të klasifikuara

Kompania Google, në pronësi të Alphabet Inc., ka nënshkruar një marrëveshje me Pentagonin për përdorimin e modeleve të saj të inteligjencës artificiale në procese të klasifikuara, sipas një raportimi të medias The Information që citon burime të njohura me çështjen.

 

Marrëveshja i lejon Departamentit Amerikan të Mbrojtjes të përdorë teknologjinë e inteligjencës artificiale të Google për “çdo qëllim të ligjshëm qeveritar”, duke e vendosur kompaninë në të njëjtin nivel me ofrues të tjerë si OpenAI dhe xAI, kompania e Elon Musk, të cilat kanë gjithashtu kontrata për përdorimin e AI në mjedise të klasifikuara.

Rrjetet e klasifikuara përdoren për aktivitete të ndjeshme, përfshirë planifikimin e operacioneve ushtarake dhe përcaktimin e objektivave për sistemet e armatimit. Sipas raportimit, Pentagoni ka nënshkruar gjatë vitit 2025 kontrata që arrijnë deri në 200 milionë dollarë me kompani të mëdha të fushës së inteligjencës artificiale, përfshirë Anthropic, OpenAI dhe Google. Qëllimi është të ruhet fleksibilitet i plotë në sektorin e mbrojtjes, pa kufizime të vendosura nga vetë kompanitë mbi përdorimin e teknologjisë në sisteme armësh.

Marrëveshja me Google parashikon që kompania të ndihmojë, me kërkesë të qeverisë, në përshtatjen e parametrave të sigurisë dhe filtrave të modeleve të saj.

Në kontratë përfshihet gjithashtu një klauzolë që thekson se sistemi i inteligjencës artificiale “nuk është projektuar dhe nuk duhet të përdoret për mbikëqyrje masive brenda SHBA-së apo për sisteme armësh autonome (përfshirë përzgjedhjen e objektivave) pa mbikëqyrje dhe kontroll të duhur njerëzor”.

Megjithatë, theksohet se marrëveshja “nuk u jep palëve të drejtën për të kontrolluar apo për të vendosur veto mbi vendimet operative të ligjshme të qeverisë”.

Agjencia Reuters raporton se nuk ka qenë në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur këto informacione, ndërsa Alphabet dhe Departamenti Amerikan i Mbrojtjes nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Një zëdhënës i Google deklaroi për The Information se marrëveshja e re përbën një modifikim të një kontrate ekzistuese.



Të ndryshme
Më shumë