Në kuadër të Javës Evropiane të Imunizimit, Shtëpia e Shëndetit në Kërçovë ka zhvilluar fushatën ndërgjegjësuese me moton “Imunizimi ,përfitim për të gjithë”, me qëllim rritjen e vetëdijes tek qytetarët për rëndësinë e vaksinimit.
Drejtoresha e institucionit, Jeta Qerimi, theksoi se kjo fushatë synon të informojë dhe inkurajojë popullatën për përfitimet që sjell imunizimi në mbrojtjen e shëndetit publik. Ajo nënvizoi se, megjithëse interesimi për vaksinim mbetet i lartë, një ndër shqetësimet kryesore mbetet rënia e natalitetit.
Ndërsa, infermierja Dijana Veljanoska bëri të ditur se gjatë kësaj jave ekipet mjekësore kanë dalë në terren, duke u fokusuar veçanërisht tek kategoritë më të ndjeshme të popullsisë. Ajo tha se vaksinat janë të sigurta dhe ruhen në kushte të përshtatshme, sipas standardeve të kërkuara.