Tensionet në Gjirin Persik janë rritur ndjeshëm, pasi Shtetet e Bashkuara kanë goditur disa mjete detare iraniane në Ngushticën e Hormuzit, ndërkohë që Irani akuzohet për sulme ndaj infrastrukturës energjetike në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ushtria amerikane ka shkatërruar shtatë anije të shpejta iraniane në këtë korridor strategjik detar, një nga më të rëndësishmit për transportin global të naftës dhe gazit. Sipas tij, operacioni është pjesë e një nisme për të ndihmuar anijet e bllokuara të dalin nga zona, në kuadër të asaj që është quajtur “Projekti Liria”.
Ngjarjet vijnë në një moment kur Ngushtica e Hormuzit mbetet kryesisht e bllokuar që prej shkurtit, pas sulmeve ajrore të SHBA-ve dhe Izraelit ndaj Iranit dhe kundërpërgjigjes së Teheranit, i cili kufizoi kalimin në këtë rrugë kyçe ku zakonisht kalon rreth 20% e furnizimit global me energji.
Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Arabe raportuan një sulm ndaj një anije nafte të lidhur me kompaninë shtetërore Adnoc, si dhe një zjarr të madh në portin e Fujairah, që la disa persona të plagosur. Edhe Koreja e Jugut konfirmoi një shpërthim në një nga anijet e saj pranë brigjeve të Emirateve.
Autoritetet në Abu Dhabi e cilësuan situatën si një “përshkallëzim të rrezikshëm”, duke paralajmëruar se ruajnë të drejtën për t’u përgjigjur. Megjithatë, zyrtarë iranianë kanë mohuar përfshirjen direkte në sulmet ndaj Emirateve.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi theksoi se zhvillimet në Ngushticën e Hormuzit tregojnë se nuk ka zgjidhje ushtarake për krizën aktuale, duke kritikuar iniciativën amerikane si një “rrugë pa dalje”.
Situata ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare. Liderë të vendeve europiane dhe rajonale kanë dënuar sulmet dhe kanë bërë thirrje për ulje të tensioneve dhe rikthim në negociata. Gjermania kërkoi hapjen e menjëhershme të ngushticës, ndërsa Franca dhe Mbretëria e Bashkuar dënuan sulmet ndaj infrastrukturës civile.
Në tregjet ndërkombëtare, çmimi i naftës ka pësuar rritje të menjëhershme, duke kaluar 115 dollarë për fuçi, si pasojë e frikës për ndërprerje të furnizimeve globale.
Ndërkohë, mijëra marinarë dhe qindra anije mbeten të bllokuara në zonë, duke rritur shqetësimet për sigurinë dhe kushtet humanitare në det.
Ekspertët paralajmërojnë se çdo përshkallëzim i mëtejshëm në këtë zonë strategjike mund të ketë pasoja të gjera për ekonominë globale dhe stabilitetin rajonal.
/tvklan.al