Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe deputeti i Parlamentit shqiptar, Pandeli Majko, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në Maqedoninë e Veriut, duke shprehur mbështetje të hapur për lëvizjen studentore shqiptare që kërkon të drejtën për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Në reagimin e tij publik, Majko e cilëson mobilizimin e studentëve si një lëvizje të rëndësishme qytetare, e cila tejkalon kufijtë e një kërkese akademike dhe prek drejtpërdrejt të drejtat themelore të shqiptarëve në vend.
Sipas tij, studentët shqiptarë po kërkojnë një të drejtë elementare – përdorimin e gjuhës amtare në arsim. Ai thekson se është e papranueshme që studentët të ndjekin studimet në gjuhën shqipe, ndërsa provimet t’i japin në një gjuhë tjetër.
Majko reagoi edhe ndaj deklaratës së kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i cili kishte deklaruar se për çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe do të kërkohet mendim nga Komisioni i Venecias.
Ai paralajmëroi se askush nuk mund ta kthejë të ardhmen europiane të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut në “të kaluarën e errët të Jugosllavisë së dikurshme”, duke e cilësuar protestën si refuzim të një sistemi që, sipas tij, ka humbur kontrollin mbi zbatimin e ligjit.
Postimi i plotë i Pandeli Majkos:
“Në Maqedoninë e Veriut ka nisur një lëvizje studentore, e djemve dhe vajzave të shqiptarisë!
Studentët shqiptarë kërkojnë të drejtën më të vjetër në botë, atë të gjuhës amëtare! Ata kërkojnë që gjuha e provimit në jurisprudencë të jetë në gjuhën shqipe! Të studiosh shqip dhe të japësh provimin në maqedonisht, fyen inteligjencën më naive!
Kryeministri Mickoski ka deklaruar se do të ‘pyetet’ Komisioni i Venecias për përdorimin e gjuhës shqipe!… Shteti që ndërroi emrin dhe flamurin, ka vendosur ‘të pyesë’ se çfarë të bëjë me fëmijët e shqiptarëve!
Askush në Maqedoninë e Veriut, të ardhmen e ndritshme në Bashkimin Europian, nuk mund ta kthejë për shqiptarët në të kaluarën e errët të Jugosllavisë së dikurshme!
Protesta e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut është refuzim i një sistemi që e ka humbur kontrollin mbi vetveten dhe zbatimin e ligjit!
Kjo që po ndodh është më shumë se një revoltë studentësh! Ajo është një betejë për të ardhmen.
Protestoni sot! Ajo refuzon luftën nesër!”