Të paktën 131 vdekje janë raportuar nga shpërthimi i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos, ndërsa ka mbi 513 raste të dyshuara. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka shpallur shpërthimin e llojit aktual të Ebolës, i cili shkaktohet nga virusi Bundibugyo, një emergjencë ndërkombëtare.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka deklaruar se është “thellësisht i shqetësuar nga shkalla dhe shpejtësia” e epidemisë së Ebolës që po prek Republikën e Kongos dhe Ugandën.
OBSH ka paralajmëruar gjithashtu se mund të jetë “një shpërthim shumë më i madh” sesa ai që po zbulohet dhe raportohet aktualisht, me rrezik të konsiderueshëm të përhapjes lokale dhe rajonale.
Në të njëjtën kohë, Agjencia Shëndetësore e Bashkimit Afrikan (Africa CDC) shpalli gjendje të jashtëzakonshme në nivel kontinenti afrikan për shkak të epidemisë së llojit Bundibugyo të Ebolës.
Më shumë se 28,600 njerëz u infektuan nga Ebola gjatë shpërthimit në Afrikën Perëndimore në vitet 2014-2016, shpërthimi më i madh i virusit që nga zbulimi i tij në vitin 1976.
Sëmundja u përhap në një numër vendesh brenda dhe jashtë Afrikës Perëndimore, duke përfshirë Guinenë, Sierra Leonen, Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe Italinë, duke vrarë 11,325 njerëz.