Shkolla Fillore “Naim Frashëri” në fshatin Jagoll të Kërçovës, me një program të pasur festiv, shënoi Ditën e Shkollës në prani të nxënësve, arsimtarëve, prindërve dhe mysafirëve të shumtë.
Manifestimi filloi me intonimin e himnit kombëtar, ndërsa më pas drejtori i shkollës, Ismet Selimi, u uroi mirëseardhje të pranishmëve
Në vazhdim, nxënësja e shkollës lexoi referatin kushtuar rilindasit dhe shkrimtarit të madh Naim Frashëri, emrin e të cilit e mban kjo vatër arsimore.
Vëmendjen e të pranishmëve e tërhoqën nxënësit me pikat e tyre artistike, të përgatitura me shumë përkushtim, ku u interpretuan poezi, recitale, këngë dhe valle popullore.
Me këtë rast, nga ana e udhëheqësisë së shkollës u ndanë mirënjohje për nxënësit dhe arsimtarët për sukseset e arritura gjatë këtij viti shkollor. Gjithashtu, mirënjohje iu ndanë edhe arsimtarëve që për dekada të tëra kanë kontribuar në këtë shkollë, si dhe bashkëpunëtorëve dhe mbështetësve të institucionit arsimor.