Dhuna dhe trazirat kanë përfshirë Belfastin dhe zona të tjera të Irlandës së Veriut pas një sulmi me thikë që ndodhi më herët gjatë javës. Dhjetëra incidente janë raportuar gjatë natës, ndërsa autoritetet dhe udhëheqësit politikë kanë dënuar ashpër sulmet me motive të dyshuara racore dhe kanë bërë thirrje për qetësi
Dhuna shpërtheu pasi një shtetas sudanez 30-vjeçar u arrestua dhe u akuzua për tentim-vrasje lidhur me një sulm me thikë në Belfast. Viktima pësoi lëndime në sy, fytyrë dhe shpinë. Pas incidentit, protesta dhe trazira u përhapën në disa zona të qytetit.
Gjatë natës, shtëpi, automjete dhe një autobus u dogjën, ndërsa qindra persona të maskuar u panë duke marshuar nëpër rrugë, duke ndezur zjarre dhe duke dëmtuar prona. Shërbimi zjarrfikës ndërhyri në 62 incidente, shumica në zonën e Belfastit.
Sipas dëshmive të banorëve dhe përfaqësuesve lokalë, disa nga sulmet duket se kishin në shënjestër komunitetet e emigrantëve. Në veri të Belfastit u sulmuan shtëpi të familjeve me origjinë afrikane, ndërsa një familje ukrainase u detyrua të largohej nga banesa pasi dera e shtëpisë së tyre iu vu zjarri.
Po ashtu, në zona të tjera u raportuan sulme ndaj bizneseve dhe pronave të lidhura me komunitetet e huaja. Disa dëshmitarë thanë se protestuesit brohorisnin slogane kundër të huajve dhe kërkonin largimin e tyre.
Udhëheqësit politikë të Irlandës së Veriut dënuan ashpër ngjarjet. Kryeministrja e Irlandës së Veriut, Michelle O'Neill, deklaroi se “djegia e familjeve brenda shtëpive të tyre është një akt i turpshëm dhe frikacak”. Ministrja e Drejtësisë, Naomi Long, akuzoi grupe të ekstremit të djathtë dhe nxitës në rrjetet sociale për përhapjen e tensioneve racore.
Policia ka shtuar praninë në terren dhe ka paralajmëruar se personat e përfshirë në trazira do të identifikohen dhe do të përballen me drejtësinë.