TV LIVE
Nga Vendi
10 June 2026
Mbyllet drejtimi i makinerisë në SHMK “Drita”, “Mirko Mileski” nis mësimin dual në të njëjtin drejtim

Disa ditë para fillimit të regjistrimeve në shkollat e mesme, është konfirmuar nga ana e drejtoreshës së shkollës se drejtimi i makinerisë në SHMK “Drita” në Kërçovë nuk do të funksionojë në vitin shkollor 2026/2027. Në të njëjtën kohë, SHMK “Mirko Mileski” ka bërë të ditur se pikërisht në këtë profil do të nisë për herë të parë zbatimi i mësimit dual.

Drejtori i SHMK “Mirko Mileski”, Branisllav Stojanoski, njoftoi se nga 12 qershori nxënësit do të kenë mundësi të regjistrohen në drejtimet profesionale makineri dhe shëndetësi e mbrojtje sociale, ku do të zbatohet modeli i mësimit dual. Për realizimin e pjesës praktike të mësimit janë nënshkruar memorandume bashkëpunimi me TEC Oslomej dhe Spitalin e Përgjithshëm të Kërçovës.

Ndërkohë, pas interesimit të TV Uskana për fatin e drejtimit të makinerisë në SHMK “Drita”, drejtoresha Syarta Spahiu dërgoi një deklaratë me shkrim, në të cilën thekson se shkolla i ka përmbushur të gjitha obligimet ligjore dhe procedurale, duke paraqitur me kohë kërkesat dhe planifikimet për vitin shkollor 2026/2027, përfshirë edhe kërkesën për këtë drejtim.

Sipas saj, vendimet për numrin e klasave dhe paraleleve janë në kompetencë të Komunës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ndërsa shkolla vetëm ka paraqitur nevojat dhe kërkesat e saj. Ajo shton se optimizimi i paraleleve është një proces që po zbatohet në nivel shtetëror, si pasojë e rënies së natalitetit dhe lëvizjeve demografike, duke përfshirë emigrimin e popullsisë.

Drejtoresha vlerson se paraqitja e kësaj çështjeje si problem me prapavijë etnike apo nacionaliste nuk pasqyron realitetin dhe nuk mbështetet në faktet që lidhen me zhvillimet demografike dhe arsimore në vend.



Të ndryshme
Më shumë