TV LIVE
Sport
11 June 2026
Botërori 2026: Nga duelet legjendare te fenomenët e rinj

Instikti prej killeri i Harry Kane, talenti i Arda Guler e shumë të tjerëve. Në turneun që fillon sot në SHBA, Meksikë dhe Kanada, do të shkruhen faqe historie për t’u kujtuar.

 

Erdhi momenti. Starton sot në mbrëmje Kupa e 23-të e Botës në futboll, me Francën dhe Spanjën favorite në letër, por me siguri do të ketë shumë surpriza. Është Botërori i parë në formatin me 48 skuadra dhe që zhvillohet në 3 vende njëkohësisht: SHBA, Meksikë dhe Kanada. Natyrisht, nuk mungojnë as polemikat.

Le të fokusohemi tek ajo që pritet të ndodhë në fushën e blertë. Janë dy tipe impakti që një futbollist mund të ketë në një Botëror: ai teknik dhe ai mediatik. Deri në mijëvjeçarin e kaluar ekzistonte vetëm i pari. Ose më mirë, i dyti ishte një pasojë e gjesteve teknike.

Ka një përshtypje se ky Botëror nuk do të ketë vetëm një fitues material me atë që do të ngrejë Kupën, por shumë fitues në proporcion të parave të spostuara në interesin e jashtëzakonshëm mediatik dhe të biznesit, pse jo dhe në rritjen e ndjekësve në rrjetet sociale të gjeneruar gjatë kompeticionit.

Kur flitet për yjet, nuk mund të anashkalosh dy dominuesit e 20 viteve të fundit, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo. Të dy luajnë Botërorin e 6-të dhe me siguri të fundit. Do të jenë ende dy pole të forta tërheqjeje për këtë turne. Portugezi ka bërë show në fund të sezonit arab. Messi në anë tjetër ka zgjedhur profilin e ulët, si zakonisht, edhe për faktin se fiziku nuk ka qenë në anën e tij gjithmonë.

Nuk duhet harruar se Messi e ka fituar Botërorin, Cristiano Ronaldo do të jepte gjithë rrjetin e hoteleve të tij apo diçka më tepër për Kupën e Botës. Nuk ka asnjë dyshim mbi impaktin e tyre mediatik. Për atë teknik është i njëjti diskutim: Messi ka pasur gjithmonë një ndarje të punës me skuadrën, Cristiano Ronaldo kurrë. Sidomos që kur ka shkuar në Arabi.

Pas dy fenomenëve të vjetër, në rreshtin e dytë, nisen francezi Kylian Mbappe dhe norvegjezi Erling Haaland. Për të dytin nuk ka dyshime, do të shënojë një gol në dy raste që do t’i krijohen, siç ka bërë gjithmonë. Është kandidat kryesor për trofeun e golashënuesit më të mirë të Botërorit, nëse Norvegjia e tij do të ketë të njëjtën uri si në kualifikuese, kur ‘shtypi’ Italinë.

Mbappe duhet të heqë nga vetja etiketën e solistit humbës që mban prej disa vitesh. Kemi parasysh dy Champions të fituar nga PSG pas lamtumirës së tij.

Në rreshtin e tretë, yje të mundshëm të këtij turneu pritet të jenë anglezët Jude Bellingham dhe Harry Kane. Qendërsulmuesi i Bayernit është në formë shumë të mirë. Nuk ka fituar asgjë deri në moshën 30 vjeç, tani po fiton thuajse gjithçka. Anglezët urojnë të jetë simboli i rilindjes së “Tre Luanëve”. Për Bellingham, rendimenti i tij do të jetë produkt i një sërë faktorësh, ai fizik mbi të gjitha.

Pastaj vijnë Vinicius Junior dhe Lamine Yamal. Vinicius në duart e trajnerit Ancelotti tregon gjithmonë një version ndryshe. Yamal ka talentin, patjetër, por edhe guximin. Shumë pyesin, nëse do të ketë ndonjë problem me debutimin botëror, por përgjigja është “Jo”.

Tre kombëtare afrikane i mbështesin ëndrrat e tyre për lavdi te 3 lojtarë, pjesë e ‘Top 10’ të fitimeve të këtij turneu. Bëhet fjalë për Egjiptin e Mohamed Salah, Senegalin e Sadio Manè dhe Algjerinë e Riyad Mahrez.

Nuk është e vështirë të besosh për një Botëror pozitiv nga Desire Doue, sulmuesi anësor i PSG-së, apo Olise i Bayernit. Është bukur të shohim në SHBA argjentinasin Nico Paz dhe Jamal Musiala, nëse do të jetë mirë fizikisht. Dy talente të tjera janë pjesë e Turqisë, Arda Guler dhe Kenan Yildiz.

Botërori mund të jetë vitrina perfekte edhe për një mbrojtës dhe sytë do të jenë të përqendruar te spanjolli Pau Cubarsi. Për t’u shënuar është edhe emri i kroatit Luka Vuskovic. Pastaj mund të befasojë ndonjë kampion i ndonjë vendi debutues, por është e sigurt se për këta emra do të flitet. Për mirë apo për keq.



Të ndryshme
Më shumë