Një njoftim zyrtar i Ndërmarrjes Publike Komunale "Komunalec" – Kërçovë, i shpërndarë së fundmi për subjektet juridike, është hartuar dhe publikuar vetëm në gjuhën maqedonase, pa asnjë version në gjuhën shqipe.
Bëhet fjalë për një njoftim që u kërkon personave juridikë të dorëzojnë dokumentacion nga Regjistri Qendror për përditësimin e të dhënave, ndërsa e gjithë përmbajtja e dokumentit është vetëm në gjuhën maqedonase, edhe pse Komuna e Kërçovës është një komunë ku gjuha shqipe ka status zyrtar.
Sipas Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, si dhe dispozitave kushtetuese që rregullojnë përdorimin e gjuhëve zyrtare, institucionet publike dhe ndërmarrjet e themeluara nga njësitë e vetëqeverisjes lokale janë të obliguara që komunikimin zyrtar, aktet, njoftimet dhe dokumentet që u drejtohen qytetarëve t'i publikojnë edhe në gjuhën shqipe në komunat ku ajo është gjuhë zyrtare.
Qëllimi i këtyre dispozitave është garantimi i qasjes së barabartë në informacion dhe në shërbimet publike për të gjithë qytetarët, pa dallim të përkatësisë etnike apo gjuhësore.
Mungesa e një versioni në gjuhën shqipe në këtë njoftim ngre pikëpyetje serioze për respektimin e detyrimeve ligjore që burojnë nga Ligji për Përdorimin e Gjuhëve dhe për garantimin e informimit të barabartë të qytetarëve dhe bizneseve shqiptare.
Vlen të theksohet se përdorimi i gjuhës shqipe në një institucion publik nuk është çështje vullneti apo zgjedhjeje e drejtuesve të institucionit, por një obligim ligjor që rrjedh nga dispozitat në fuqi në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Për këtë arsye, NPK "Komunalec" është e obliguar të respektojë këto dispozita dhe dokumentet zyrtare t'i publikojë edhe në gjuhën shqipe.
Në fund, mbetet të shihet nëse institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve do të reagojnë ndaj këtij rasti, apo mosrespektimi i përdorimit të gjuhës shqipe në dokumentet zyrtare do të kalojë pa asnjë përgjegjësi siç jemi mësuar ti shohim deri tash.