Dhjetë vjet pas arrestimit të tretë dhe të fundit, deri më sot, të Joaquín “El Chapo” Guzmán, janë publikuar katër video të reja nga operacioni që çoi në kapjen e një prej trafikantëve më të famshëm të drogës në botë. Pamjet u publikuan nga mediat meksikane “El Universal” dhe “Aristegui Noticias”.
Operacioni, i koduar “Mjeku i Zi”, nisi në orët e para të 8 janarit 2016 në Sinaloa. Guzmán dhe krahu i tij i djathtë, Orso Iván Gastélum, fillimisht arritën t’u shpëtonin forcave ushtarake përmes rrjetit të kanalizimeve, por më vonë dolën në sipërfaqe në qytetin Los Mochis.
Dy të arratisurit, të veshur vetëm me të brendshme, vodhën fillimisht një Volkswagen Jetta dhe më pas një Ford Focus të kuq. Pronari i makinës kishte ende telefonin e tij, me të cilin njoftoi policinë. Pak më vonë, forcat federale lokalizuan automjetin dhe e ndaluan.
Sipas pamjeve dhe dëshmive të publikuara, Gastélum u përpoq të negocionte me policët, duke u treguar se në automjet ndodhej “Shefi”. Ndërkohë, El Chapo u përpoq t’i korruptonte efektivët, duke u ofruar pasuri, biznese dhe shuma të mëdha parash në këmbim të lirisë.
https://www.youtube.com/watch?v=EsCpY3Ut2hk
Policët u informuan se rreth 30 automjete me persona të armatosur po lëviznin drejt zonës dhe, nga frika e një ndërhyrjeje të armatosur, u strehuan përkohësisht në një dhomë moteli së bashku me Guzmán. Për rreth 20 minuta, ai vazhdoi t’u premtonte shpërblime të mëdha nëse e ndihmonin të arratisej.
Efektivët refuzuan ofertat dhe e mbajtën nën kontroll deri në mbërritjen e forcave të Marinës dhe Ushtrisë. Në momentin e arrestimit përfundimtar, komandanti i Marinës iu drejtua El Chapos me fjalët: “Pushimet e tua gjashtëmujore kanë përfunduar”. Në pamjet e reja ai shihet me rrobat e mbuluara me baltë, ndërsa lan fytyrën dhe flokët në dhomën e motelit.
Guzmán, 69 vjeç, aktualisht po vuan një dënim të përjetshëm në një burg të sigurisë së lartë në Kolorado, pasi u dënua në vitin 2019 për trafik droge, pastrim parash dhe vepra të tjera. Ndërkohë, më 21 gusht pritet të publikohet në Netflix filmi “La Captura”, i cili rikrijon arrestimin e tij nga këndvështrimi i policëve që morën pjesë në operacion.
/vizionplus.tv