TV LIVE
Nga Vendi
19 August 2026
Murtazani mori detyrën e ambasadorit në NATO

Ish-ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtazani, njoftoi se ka marrë detyrën e ambasadorit dhe përfaqësuesit të përhershëm të vendit në NATO. Ai është një nga nëntë ambasadorët e rinj, emrat e të cilëve u miratuan në një seancë të Qeverisë në shkurt të këtij viti, transmeton Portalb.mk.

“Detyrë e re, përgjegjësi e njëjtë. Për mua, ky është një kapitull i ri profesional, por njëherësh edhe vazhdim i të njëjtit përkushtim – që Maqedonia e Veriut të jetë e sigurt, aleate e besueshme dhe një shtet që ka zërin dhe kontributin e vet në familjen euroatlantike. Veçanërisht sot, kur siguria nuk mund të merret si e mirëqenë, anëtarësimi në NATO sjell me vete si privilegj, ashtu edhe përgjegjësi”, shkroi Murtezani në rrjetet sociale.

Orhan Murtazani ishte ministër për Çështje Evropiane nga qershori i vitit 2024 deri në dhjetor të vitit 2025. Pa dhënë shpjegime, ai u shkarkua nga detyra pas zgjedhjeve lokale të vitit 2025, kur bashkëpartiaku i tij nga VLEN, Izet Mexhiti, fitoi postin e kryetarit të Komunës së Çairit dhe u largua nga posti i ministrit të Mjedisit. Në vendet e Murtazanit dhe Mexhitit në Qeveri u emëruan Bekim Sali dhe Muhamed Hoxha.

Pas shkarkimit të Murtazanit, kryeministri Hristijan Mickoski kishte paralajmëruar se ai do të ishte pjesë e kabinetit të tij, me përgjegjësi për monitorimin e zbatimit të Agjendës së Reformave.



Të ndryshme
Më shumë