TV LIVE
Nga Vendi
25 August 2026
BDI: Projekti Shkup-Bllacë u përgatit dhe financua gjatë qeverisjes sonë

BDI sot përmes një kumtese për media pretendon se dokumentet zyrtare dëshmojnë se projekti nuk është krijuar nga Qeveria aktuale, por se për të ishin ndërmarrë hapa konkretë gjatë periudhës kur BDI ishte pjesë e pushtetit. Sipas partisë, në atë periudhë ishin avancuar projektimi, sigurimi i financimit dhe procedurat e nevojshme për realizimin e autostradës.

Në kumtesën e BDI-së, thuhet se më 27 qershor 2022, Kuvendi miratoi Ligjin për garancinë shtetërore të detyrimeve për huanë që do të përdorej për financimin e projektit TEN-T për ndërtimin e autostradës nga Shkupi deri në kufirin me Kosovën.

Sipas BDI-së, dokumenti zyrtar mban nënshkrimet e presidentit të atëhershëm të shtetit, Stevo Pendarovski, dhe kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi. “Pra, në kohën kur BDI ishte pjesë e Qeverisë, për projektin Shkup-Bllacë ishin krijuar dhe avancuar elementet themelore për realizimin e tij: projektimi, sigurimi i bazës financiare dhe zhvillimi i procedurave të tenderimit”, thuhet në kumtesën e partisë.

BDI-ja vlerëson se këto dokumente, sipas saj, rrëzojnë përpjekjet për të krijuar përshtypjen se autostrada Shkup-Bllacë është projekt që Qeveria aktuale e ka nisur nga fillimi. Nga partia kërkojnë që pushteti të bëjë publike të gjitha dokumentet që lidhen me projektimin, financimin, tenderimin dhe realizimin e projektit. “Pyetja është e thjeshtë: çfarë ka bërë pushteti aktual përtej asaj që ishte përgatitur dhe siguruar më herët?”, pyet BDI-ja, duke kërkuar më shumë transparencë për fazat nëpër të cilat ka kaluar projekti.

BDI thekson se nuk e kundërshton ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, por kërkon që projekti të realizohet sa më shpejt, duke e konsideruar atë me rëndësi strategjike për lidhjen e Maqedonisë së Veriut me Kosovën. “Autostrada nuk fillon me propagandë.

Ajo fillon me projekt, financim dhe procedura konkrete. Dhe këto hapa për Shkup-Bllacë ishin ndërmarrë që në kohën kur BDI ishte në qeveri”, thuhet në reagimin e partisë. Në fund, BDI-ja e përmbyll reagimin me mesazhin: “Dokumentet flasin. Propaganda nuk mund t’i fshijë”.



Të ndryshme
Më shumë