Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca kanë kërkuar sërish sot vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, duke akuzuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për bllokimin e procesit të formimit të institucioneve të reja.
(E plotësuar) Në një aktivitet të mbajtur para ndërtesës së Qeverisë, përfaqësues të PDK-së, bashkë me asamblistët dhe aktivistët nga Komuna e Mitrovicës, thanë se moskonstituimi i Kuvendit po ndikon drejtpërdrejt te qytetarët dhe komunat, duke penguar trajtimin e çështjeve dhe realizimin e projekteve me rëndësi. "Stop uzurpimit të institucioneve. Rikthim në rendin kushtetues. Konstituim të Kuvendit. Qytetarët presin punë dhe mbështetje. Shteti pret zhvillim dhe përparim", u tha gjatë këtij aktiviteti.
PDK-së në këto aktivitete i është bashkuar edhe Aleanca. Të dyja subjektet politike kanë deklaruar se përmes këtyre aksioneve po kundërshtojnë zvarritjen e procesit të konstituimit të institucioneve të reja.
Kryesia e Aleancës ka njoftuar se, së bashku me Grupin Parlamentar, sot ka protestuar në shenjë pakënaqësie ndaj, siç kanë thënë, “bllokimit institucional dhe uzurpimit të hapësirave që u takojnë institucioneve të Republikës së Kosovës”.
“Mesazhi ynë është i qartë: Shteti nuk mund të funksionojë me dyer të mbyllura, me institucione të bllokuara dhe me hapësira të uzurpuara”, thuhet në reagimin e Aleancës.
PDK dhe Aleanca kanë bërë të ditur se do t’i vazhdojnë aktivitetet e tyre deri në thirrjen e seancës për vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.
Ndërkohë, PDK ka njoftuar se deputetët e saj do të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës sot në orën 11:00.